Në 10 Vjetor mirënjohje për të merituarit
Revista mujore lokale “Gjakovapress” të shtunën shënoi 10 vjetorin e daljes së numrit të parë që lidhet me jubileun e 10-të të shtetësisë së Kosovës. Me këtë rast u tha se ky përvjetor gjen këtë revistë si një pjesë të pandashme të historisë së re të Gjakovës që përmes faqeve të saj ka pasqyruar ngjarje me rëndësi dhe fejtone që kanë vënë në pah vlerat e qytetit në shumë fusha dhe data me rëndësi të veçantë për kombin. Editori i revistës Zeki Vehapi, tha se rrugëtimi 10-vjeçar i revistës ka qenë i mbushur me suksese por edhe me shumë vështirësi. Por, sipas ti, mbështetja e kolegëve dhe intelektualëve të qytetit dhe nevoja për të shpalosur atë pjesë të Gjakovës që ndonjëherë lihet në harresë ka qenë një shtysë për të vazhduar.
“Në faqet e revistës Gjakovapress për këtë dekadë botuam qindra shkrime interesante nga arritjet në fushat e kulturës, historisë dhe trashëgimisë kulturore të popullit të kësaj treve. U munduam të shpalosim një pjesë të identitetit të Gjakovës, qendrës së Malësisë së Gjakovës me karakteristikat e trevës të penës e pushkës. Shpresojmë të ia kemi arritur këtij qëllimi. Këtë e dinë më së miri lexuesit tanë besnik” tha Vehapi.
U ndanë mirënjohje të vecanta për bashkëpunëtorët që kontribuan në rritën e revistës. Mirënjohje u nda për prof.dr. Masar Rizvanolli, pastaj posmortum për Akademik Esat Stavileci , Myrteza Xajë Nura dhe Halil Haxhosaj . Mirënjohje mori edhe fotografi i shquar Shkelzen Rexha që bënë dizajnin e revistes Gjakovapress
Sfida më e madhe me të cilën përballet aktualisht revista “GjakovaPress” mbetet ajo financiare. Kjo revistë mujore lokale e familjare në masë të madhe shpërndahet falas duke bërë që shpenzimet të mbulohen falë mbështetjes së komunës dhe bizneseve për të cilat sot u ndanë mirënjohje.
Editori Zeki Vehapi uroi që revistën ta presin ditë më të mira në këtë aspekt. Duke falënderuar bashkëpunëtorët e duke folur për synimet, Vehapi shpreson që “GjakovaPress” të mbajë të njëjtin ritëm edhe vitet e ardhshme.