Kujtohet masakra e një dhe dy prillit 1999
Në Gjakovë të martën po kujtohet njëra ndër masakrat më të mëdha të bëra gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndaj popullatës së pambrojtur civile. Bëhet fjalë për masakrën në natën ndërmjet një dhe dy Prillit e vitit 1999, ku vetëm brenda një nate në lagjen Qerim të Gjakovës, janë vrarë, dhe masakruar nga forcat serbe 60 qytetarë të Gjakovës.
Ky veprim makabër i forcave policore dhe paramilitare serbe do të mbetet në historinë e shkruar të Kosovës, si njëra ndër masakrat më famëkeqe ndaj popullatës së pambrojtur. At natë të kobshme 14 vite më parë, vetëm në familjen Vejsa nga barbaria serbo-malazeze u masakruan 20 persona në mesin e të cilëve ka pasur fëmijë nga mosha 1 vjeçare, ndërkaq 9 prej tyre ishin gra.
Në 14 vjetorin e këtij akti kriminal gjatë orëve të paradites janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule mbi varret e viktimave. Ndryshe, fillimi i muajit prill të vitit 1999, kujtohet edhe për eksodin e madh të shqiptarëve në Kosovë, të cilët u dëbuan me dhunë nga vatrat e tyre shekullore.