Sunday, September 1, 2024
Gjakova Presss

Në 20 Vjetorin e luftës-Marsi, Loti, Pritja…


Shkruan: Prof. Besim Këpuska,

Marsi 20 – të, lotët e tharë, pritjet e stërgjatura! EVROPË, KU JE?!

Seç m’u kujtua një strofë e një poezie kur isha nxënës para 65 vjetësh:

Është një vashëz

Emrin e ka Hënëz

Por të gjithë e thërrasin

Lazdrajka e nënës…

Ishte një ledhatim i vazhdueshëm perëndimor ndaj Serbisë që e llastoi bukur shumë këtë.

Në kohë paqeje fëmijët i varrosin prindërit e tyre, në kohë lufte prindërit i varrosin fëmijët e tyre. Nga lufta juaj e ndyrë u varrosën edhe prindërit edhe fëmijët, edhe foshnjat, edhe pleqtë.

Ju përulem me respektin më të thellë juve nëna gjakovare dhe juve nëna kosovare.

Ka burrëresha të forta

Kudo ndër shqiptari

Ju njoha unë zemrën

Dhe shpirtin tuaj ju di!

Historia na tregon se shqiptarët kurrë nuk kanë qeverisur, por kanë qenë gjithë jetës nën e urdhrat e të huajve. Ata përjetuan fyerjen dhe poshtërimin më të madh që mund të ketë një popull i tërë, sidomos fqinji ynë verior që karakterizohet nga një prirje e sëmurë për vrasje e një tendencë patologjike për të gënjyer dhe urrejtur. A thua të huajt i kanë ditur këto? Nëse jo, le t’i lexojnë, mos të bëhen të verbër!

Në një pyll secili dru është taban në vendin ku qëndron, në një vend të lirë secili njeri është zotëri në shtëpinë e vet. Një thënie e grekëve të lashtë thotë: “Thëngjilli, po s’të dogji, të nxin”.

Në letrën dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë më 03.03.1921 ERIC DRUMMOND – Mit’hat Frashëri shkruan: “Informoj se ekceset e serbëve kundër shqiptarëve të cilët janë nënshtetas të sundimit serb prej vitit 1912 janë duke u bërë nga dita më ditë më të furishme, kështu që elementit shqiptar po i kërcënohet rreziku i shfarosjes totale”.

Ti s’pate kurrë të ngopur me gjakun tonë. Gjaku i derdhur nuk mblidhet më. Kurrë s’ke dashur që kombi ynë të përparojë e të lulëzojë. Ishim mysafirë në shtëpinë tonë, nuk patëm kurrë shtet. Kokën e kemi patur në mes çekanit e kudhrës. A e di ti, Evropë, se nga viti 1912 deri më 1950 ata masakruan mbi 220.000 civilë shqiptarë? Sikur zërin ta dëgjojë zemra, por ti s’ke zemër. Për një të vrarë ju nuk do të linit gur pa lëvizur. Pse nuk u tregoni ndërkombëtarëve vendin se ku gjinden trupat e të pagjeturve? Nënat tona mjaft pritën, ato tani s’kanë lot. Sytë u janë terur. Shumë prej tyre kaluan në atë jetë, pa patur fatin të degjojnë ndonjë lajm të mirë. Sado që e vërteta preket ose sulmohet nga gënjeshtra, ajo nuk dobësohet, përkundrazi bëhet më e fortë. Ju, fqinji verior, u turpëruat para botës. A e dini se turpi është më i gjatë se jeta? Armiku të merr jetën, por populli të përjetëson. Sa pak shkronja (vetëm 4) kanë fjalët: TURP, MARRE, KORI, KRIM.

Ju politikanët serbë keni rënë në një gjendje gjumi të thellë e të gjatë, në një topitje. Mos, vallë, ju rroku paranoja (çmenduria)? Nuk u përdëllyet për asgjë që 20 vjet. Ju s’kërkuat dhe as nuk po kërkoni falje se ç’bëtë. Falja është virtyt dhe cilësi e njeriut të qytetëruar e të kulturuar. Mendoni pak për ato nëna që 20 vjet ndodhen në një trishtim të thellë në vuajtje, mjerim.

Ju, nëna gjakovare, duruat dhe qëndruat – e tërë Gjakova shpreh devotshmëri për ju. U treguat nëna të vërteta, nëna të kombit. Pas çdo frymëmarrjeje ato janë më afër vdekjes. Sikur t’ishin gjetur eshtrat e djemve të tyre – ato do të frymonin më gjatë. Nënat shqiptare janë përditë të vdekura në pritje për t’i gjetur eshtrat e më të dashurve. E kaluara (vuajtjet, masakrat) nuk do të harrohet kurrë deri në pafundësi. E dini ç’shkruan dhe ç’na lanë amanet poetët tanë?

Duam me fqinjët gjithnjë të rrojmë, të jetojmë

Më sllavë, grekë e këdo me dashuri të shkojmë

Po me një fjalë, një vështrim thellësisht të kuptohet

Që e drejtë e tjetrit gjithnjë lipset të respektohet

N.Frashëri

 Te poetët tuaj s’kam hasur një dëshirë të tillë. “Ne duhet të mësohemi të jetojmë së bashku si vëllezër, ose do të vdesim së bashku si budallenj” (M.L.King)

Sa bëri shteti për të pagjeturit?

Nuk them se nuk u angazhua, por sa u bë. Gërmimet filluan 8 vjet pas luftës. Në Kosovë janë evidentuar rreth 530 varreza masive. Edhe fëmijët kanë dëgjuar për Rudnicën 1, 2, 3, 4…, Rashkën… Ku janë gërmimet, kërkimet, hulumtimet në varrezat tjera?

Po kërkojmë, po pyesim, por pak po hulumtojmë e po gjurmojmë. Qeveri, ngutuni për hirë të atyre nënave që janë ende në këmbë dhe nuk e kanë humbur ende ekuilibrin mendor! Bashkëdrejtuesi i ekipit negociator për bisedime me serbët, Fatmir Limaj, më 25.12.2018 deklaroi se detyra jonë e parë është tema e të pagjeturve. Pyeteni z.Mogerini se a ka dëgjuar e lexuar për Mejen, Reçakun, Rrezallën, Poklekun, Qyshkun, Pastaselin, Dubravën, Rugovën, Izbicën, Suharekën, Podujevën, Gjakovën… I thoni asaj: Aty ku jeni ju të besuarit e Evropës, ne jemi shembulli (modeli) i saj. I thoni asaj: E dini çfarë do të thotë kjo thënie latine?: UBI TU GAIUS, EGO GAIA! (Aty ku je ti i zoti i shtëpisë, unë jam zonja e saj!).

Qëllimisht e “vodha” këtë thënie që z.Mogerini ta kuptojë e ta deshifrojë.

Ultimatumi të jetë i dyanshëm

Para pak ditësh ju i dhatë ultimatum Kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Pse s’i jepni ultimatum palës serbe se ku janë varrezat e të pagjeturve. Ju rikujtojmë se janë edhe 1648 të pagjetur.

Dhe, krejt në fund, po e shtroj një kërkesë për JU, z.Mogerini: Ia përcillni dhe ia përktheni Kryetarit të Serbisë shprehjen latine: MEA CULPA (Besoj se e dini: Mëkati im) – A do të kërkojnë ndonjëherë kërkimfalje? Gjuhën shqipe nuk e kuptojnë (kurrë s’e kanë kuptuar) dhe as nuk duan ta kuptojnë. Neve na quanin shiptari (dikur shiftari), kurse shqiptarë të vërtetë ishin ata të Shqipërisë (albanci)!!!

Marsi i 20 – të, lotët e tharë, pritjet e stërgjatura! EVROPË, KU JE?!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *