Saturday, December 28, 2024
AktualeLajme

Aktualitetet gjakovar

Gjakova_Naten

Besimtarët katolikë sot kremtojnë festën e krishtlindjeve, e cila simbolizon lindjen e Krishtit që mes njerëzve solli paqen, mirëqenien, lumturinë dhe harmoninë. Mbreme në orën 24, meshat tradicionale të Krishtilindjeve u organizuan në të gjitha kishat e komunës së Gjakovës ndërsa mesha kryesore,  e udhëhequr nga Pater Ndou, mbahet në Kishën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Me rastin e Krishtilindjeve, besimtarët katolikë dhe ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergjin e famullitarin Pater Antoni, i kanë uruar udhëheqësit më të lartë të vendit si dhe subjektet komunale të Gjakovës, duke u uruar mbarësi, shëndet dhe dashuri.

 

Pas vënies së gurthemelit të fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe ujërave të zeza si dhe prodhimit të energjisë elektrike e termike, një investim prej 143 milionë eurove, zyrtarët komunal kanë paralajmëruar edhe dy projekte të mëdha ekonomike për fillimvitin e ri në Gjakovë. Bëhet fjalë për  fabrikën e xhamit dhe të pllakave dekorative, të cilat, siq parashihet, do të punësojnë qindra të rinj gjakovarë.

 

Pas refuzimit të tri propozimeve nga Gjakova, drejtues të Drejtorisë së Urbanizmit, kanë patur një takim me përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës rreth zgjidhjes së problemit të punimeve në shtruarjen e rrugës kryesore të Çarshisë së Vjetër  me kubëza. “Kemi afruar mendimet rreth projektit, i cili duhet të realizohet sipas kritereve  të Ligjit për trashëgiminë Kulturore, që mbron këtë kompleks dhe tash jemi  në pritje të mendimit dhe vendimit definitiv të Ministrisë së kulturës për vazhdimin e punimeve” ka theksuar  para këshilltarëve komunal, drejtoresha e Urbanizmit Leonora Rraci.

Në prag të festave të fundvitit, Grupi i Grave Asambliste  të Gjakovës dje vizitoi qendrën parashkollore “Ganimete Terbeshi”. Me këtë rast për vogëlushët e këtij institucioni parashkollor, ato kanë ndarë 100 dhuratat të Vitit të Ri.

 

Dhurata për festat e fundvitit do të ndaj edhe Kompania rajonale e ujësjellësit “Radoniqi”. Siç bëjnë të ditur këtu, më 27 dhe 28 dhjetor, përkatësisht të enjten dhe të premten, nga ora 9 deri në 16, në zyrat e kompanisë, do t’ u shpërndajnë dhurata solide për nder të  festave të fundvitit, të gjitha familjeve të dëshmorëve në komunën tonë.

 

Sport: Në fund të këtij muaji, më 28 dhjetor, sektori i sporteve të Gjakovës do të organizojë manifestimin e shpalljes së sportistëve më të mirë të Gjakovës. Klubet dhe shoqatat sportive janë në fazën e dorëzimit të propozimeve për më të mirët, ndërkohë që një komision do të jap mendimin e vet për çmimet e sportistit të vitit.