Saturday, December 28, 2024
Lajme

Familjet durrsake, pas tërmetit gjejnë strehë në Gjakovë

Gjakova  ka hapur zemrën për vëllezërit nga Shqipëria të cilët u ndodhën në situata të rënda pas tërmetit që goditi shumë zonat e Durrësit dhe qytetet tjera. Shumë familje gjakovare kanë hapur shtëpitë e tyre për qytetaret e prekur. Mes shumë familjeve durrsake që ka gjet strehim është edhe familja Bespalla.  Justini, ish futbollist i Teutes së Durrësit dhe i kombëtares shqiptare tash drejtues i shkollës Arena , duke i falënderuar miqve sportist nga Gjakova është mirëpritur. Ai në programin e sotëm të mëngjesit të Radio Gjakovës ka shpalosur momentet dramatike të goditjes së tërmetit të 26 nëntorit, por edhe mikpritjen gjakovare.

“Ka qenë një natë e keqe. Ishte rilindja e dytë për ne që në ato rrethana shpëtuam. Banoj në katin e katërtë të pallatit gjashtë katesh dhe mezi kemi zbritur në terrin e madh që mbretëroj. Kishim drojën e fëmijëve. Skaj Pallatit tonë, një tjetër u shemb i tëri dhe ishte zhurma trishtuese”!, tha Bespalla duke falënderuar për mikpritjen e hasur nga miqtë e tij në Gjakovë.

Foto: Nga e majta: Gezim Daka, Justin Bespalla dhe gazetari Zeki Vehapi

Justin Bespalla me familjen katër anëtarëshe ka gjet strehë  me ftesë të miqve nga klubi i futbollit Gjakova. Gëzim Daka drejtor i kësaj shkolle ka thënë se futbolli i ka lidhur përjetë dhe se pa hezitim ka pranuar Justinin që është anëtarë i Komitetit të Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Si mos ta pranojmë këtë sfidë, kur mu kujtua viti 1999 kur një numër i madh i kosovarëve gjetëm strehë në Shqipëri. Ata me kushte tejet të rënda na pranuan. Prandaj unë me miqtë e mi vendosëm që ti ftojmë e ti marrim për strehim në Gjakovë, këta miq të familjes Bespalla, Abazi, Sulejmani e tjerë!, tha Daka duke falenderuar Shpend Gjocajn, Bekim Dodaj dhe miqtë tjerë.

Shpend Gjocaj që i ka vënë në dispozicion banesën e tij ka thënë  se “Për aq kohe sa te qëndrojnë aty banesa është e tyre pavarësisht sa gjate do te qëndrojnë
“Falënderoj Zotin që ma dha mundësinë me e bë një vepër të mirë” tha Gjocaj .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *