Për një javë një i infektuar me korona virus
Në spitalin Isa Grezda në Gjakovë është mbyll një javë e përpjekjeve për të qenë përballë kërkesave që ka shkaktuar pandemia e virusit korona. Hilmi Shala, u.d së drejtorit, thotë se kjo javë ka kaluar kryesisht e qetë, por në gatishmëri e mobilizim të plotë në të gjitha frontet, duke ofruar njëkohësisht edhe shërbime sekondare mjekësore në të gjitha repartet.
“Ka pasur vetëm një rast të një laboranti që ka dalë i infektuar me Covid 19, kurse në anën tjetër 4 janë shëruar dhe 2 të tjerë, që ishin të vetizoluar, pritet të dalin negativ në testin përfundimtar. Në tersi, në komunën e Gjakovës, nga fillimi kësaj pandemie janë identifikuar 10 persona me Covid 19 ”, ka thënë Shala, duke kujtuar se në të gjitha repartet është punuar me përkushtim.
Shala ka përmendur ndihmat me maska dedikuar mantelbardhëve, tha se 280 copë i ka dhuruar Bonevet, përmes Zyres Regjionale të FSSHK-së Gjakovë dhe 40 të tjera nga profesori i inxhinierisë Shaban Buza.
Shala është shprehur optimist se edhe këtë betejë do ta fitojmë.
“Nëse vazhdojmë ti ikim grumbullimeve, siç kishim raste me pensionistët gjatë marrjes së pensioneve dhe ndihmave sociale apo grumbullimeve në Shkugëz e Çabrat, ku u desh të intervenoi Policia, e bashkë me te ti përmbahemi këshillave e apeleve nga institucionet shëndetësore, do ta kalojmë edhe këtë pandemi”, ka përfunduar Shala.