“Republika Shqiptare 1925-1928: Një vepër madhore për Historinë dhe Historiografinë Shqiptare
shkruan Dr.sc. Alban Dobruna
Fatmira Musaj, “Republika Shqiptare 1925-1928”,Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë, 2018.
Historiania shqiptare Fatmira Musaj, është e njohur për kontributin e rëndësishëm që ka dhënë për historinë shqiptare, e të viseve të tjera shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme. Fatmira Musaj, autore e shumë artikujve me karakter shkencor, pjesëmarrëse dhe kontribuuese në veprimtari të shumta shkencore dhe shoqërore-kulturore, në tubime, tryeza, simpoziume dhe konferenca në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Ndër studimet më të njohura të saj janë ato që i kushtohen një personaliteti të shquar siç është Isë Boletini,të kurorëzuara me veprën shkencore“Isa Boletini”, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë: Instituti i Historisë, ky studim sot e kësaj dite mbetet pikë reference për të gjithë studiuesit të cilët merren me këtë personalitet dhe kohën e tij. Një studim tjetër me rëndësi të jashtëzakonshme ka të bëjë me gruan shqiptare në kohën e transformimeve të mëdha shoqërore e politike gjatë periudhës së formimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar “Gruaja në Shqipëri (1912-1939”, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti i Historisë.
Ndërsa, monografia që tani i ofrohet botës shkencore dhe jo vetëm asaj, me titull “Republika Shqiptare 1925-1928”, botuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë, 2018, paraqet kulmin e angazhimit profesional të historianes Fatmira Musaj. Ta themi që në fillim që kjo monografi me diapazonin tematik dhe nivelin shkencor të trajtimit paraqet një vepër që i bënë nderë historiografisë shqiptare dhe avancon të njëjtën.
Kjo vepër shkencore përmban 7 kapituj të cilët mbulojnë të gjithë lëmit e zhvillimeve qenësore të një shteti në konsolidim e sipër e që në zhargonin historik e njohim si periudha e “regjimit të Ahmet Zogut”. Por siç del nga ky studim kemi të bëjmë me periudhën e ndërtimit të bazës së një shteti modern shqiptar. Apo siç e thotë edhe vetë autorja, “kjo është një etapë e veçantë e periudhës së historisë së Pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit shqiptar (1912-1939)”.
Studiuesja Fatmira Musaj, në kapitullin e parë me titull: “Rënia e qeverisë së Iljaz Vrionit dhe përpjekjet për t’u rikthyer në pushtet (qershor-dhjetor 1924)”, trajton ashpërsimin e krizës politike dhe largimin e qeverisë jashtë vendit, kalimin e Zogut në Jugosllavi dhe organizimin e emigracionit politik për t’u rikthyer në pushtet, largimin e qeverisë së Nolit dhe kthimin e Ahmet Zogut në Tiranë, mesazhet e shoqërisë “Vatra”, për bashkëpunim dhe stabilitet politik në Shqipëri.
Në kapitullin e dytë, autorja vë theksin mbi “Ahmet Zogun në krye të Republikës Shqiptare”, ku vihet në pah ringritja e institucioneve të shtetit të tronditur shqiptar dhe forcimi i karakterit kushtetues-juridik i Republikës Shqiptare, rritjet dhe dobësitë. Në këtë kapitull, autorja me mjeshtri trajton zgjedhjet parlamentare dhe ato për pushtetin vendor, masat për shtrirjen e autoritetit të shtetit në vend dhe sigurimin e regjimit. Në këtë kapitull të mbushur me fakte interesante, përshkruhet aksioni për mbledhjen e armëve, vendosja e censurës ndaj shtypit dhe ndalimit të aktivitetit të shoqërive politike e kulturore, kuvendin me bajraktarët, amnistitë, synimet dhe rezultatet e saj. Nuk ka mbetur pa u përfshirë në libër edhe themelimi i Bankës Kombëtare Shqiptare dhe sigurimi i huas si dhe përjashtimi i Myfit Libohovës nga jeta politike e administrative e vendit.
Në kapitullin e tretë kemi të bëjmë me zhvillimet në lëmin e politikës së jashtme të shtetit shqiptar, ku tematika e marrëdhënieve me Italinë imponohet si kryesorja. Brenda këtij kapitulli trajtohen ngjarjet me rëndësi si: animi i Ahmet Zogut drejt Italisë, kryengritja e Dukagjinit si shtysë për nënshkrimin e Paktit të Parë të Tiranës, jehona e këtij paktit, lëvizja e Beogradit për rrëzimin e Ahmet Zogut (1927), Ceno Bej Kryeziu dhe eliminimi i tij dhe pakti ushtarak italo-shqiptar apo siç njihet në zhargonin historiografik Pakti i Dytë i Tiranës, nëntor 1927.
Kapitulli i katërt hedh dritë mbi aspekte të politikës së jashtme të shtetit shqiptar që ka të bëjë me marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet tjera si me Jugosllavinë, Greqinë, Turqinë dhe Egjiptin. Këtu prijnë marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1925-1928, çështja e Shën Naumit dhe Vermoshit dhe impakti i kësaj çështjeje në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, marrëdhëniet me Greqinë, marrëdhëniet me Turqinë në vitet 1925-1928 dhe qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve të Egjiptit 1925-1928….(shkrimi i plotë në numrin më të ri të revistes Gjakovapress 139-online)