Masat e reja anticovid të Qeverisë
Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim të lehtësojë disa prej masave që kishte marrë më 7 prill.
Sipas vendimit të Qeverisë, disa prej masave janë lehtësuar, e disa të tjera mbesin ende në fuqi, si ajo për kufizimin e lëvizjes i cili tashmë vlen nga ora 22:30 deri në 05:00.
Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.Obligohen të gjithë operatorët të cilët për veprimtari ekonomike kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.
Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës. Lejohen deri në 40 klient për 100m2 (4 persona për 10 m2). Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
Ambienti duhet të konfigurohet në mënyrë që klientët e ulur në tavolina të ndryshme të ndahen duke u përmbushur distanca prej të paktën 1 metri në mes karrigeve/ulëseve.
“Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 30 persona (mbledhjet, seminaret, trajnimet). Pavarësisht numrit të personave, mbajtja e pritjes për ngushëllim/krye shëndoshë dhe organizimi i dasmave ndalohet”, është një nga pikat e vendimit të qeverisë.
“Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, jo më shumë se 30 persona”, thotë pika tjetër.