Monday, December 30, 2024
AktualeLajme

Më në fund Gjakova me Universitet publik- Debat në Kuvendin e Kosoves

Pas një debati  për e kundër themelimit të tri universiteteve të reja publike, në tri qytete të Kosovës, Kuvendi i Kosovës me 78 vota për dhe tri abstenime  ratifikoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e universiteteve në Gjakovë, Gjilan e Mitrovicë. Këto universitete do të pranojnë studentë që nga viti studentor 2013/14 gjatë kësaj vjeshte.  

Pati një diskutim të gjerë edhe për vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Universiteteve Publike në Gjakovë, në Gjilan dhe në Mitrovicë, si institucione publike të arsimit të lartë.

Me këtë rast, ministri Buja tha se themelimi i këtyre tri institucioneve publike të arsimit të lartë qëndron mbi bazën e kërkesave të qytetarëve të këtyre vendeve, ndërsa kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Idriz Vehapi, tha se vendimet e qeverisë për themelimin këtyre tri institucioneve janë në pajtim më ligjet në fuqi.
Kritika lidhur me këtë vendim të qeverisë e po ashtu edhe ndaj komisionit parlamentar përkatës shfaqën edhe kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, si dhe nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti.
Kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi parashtroi disa pyetje për ministrin Buja, për faktin nëse është arritur cilësia e duhur në Universitetin e Prishtinës, për të shkuar në hapin tjetër dhe se a ka ndonjë planifikim të studiuar për nevojat 10 vjeçare të Republikës së Kosovës, për kuadro dhe ekspert të lëmenjëve të ndryshme?!
“A është bërë ndonjë krahasim me numrin e banorëve, por edhe më mundësitë financiare me ndonjë vend evropian, që pastaj ne ta tejkalojmë atë numër të universiteteve, si dhe cila është infrastruktura fizike e këtyre universiteteve dhe cilët janë kuadrot që do të punojnë në ato universitete? A vërtetë kemi bërë aq shumë kuadro në universitetin publik që pastaj t’i shpërndajmë në universitete tjera të Kosovës?”, tha kreu i Kuvendit duke shtuar se angazhimi i shoqërisë sonë duhet të jetë lufta për të vendosur rend, rregull edhe cilësi në universitete ekzistuese, duke kërkuar njëkohësisht edhe sqarime rreth qasjes së buxheti të Kosovës për të krijuar universitete.
“Le ta ndajmë buxhetin e Kosovës me përgjegjësi dhe jo pa një planifikim serioz dhe pa një qasje serioze. A po duam ta bëjmë shtetin ligjor apo ta falimentojmë këtë shtet? Me këtë çështje të papërgjegjshme të njerëzve që kanë marrë përgjegjësi po krijojmë diçka që secili nga ne do ta kritikojë. Gjërat nuk janë të menduara, të planifikuara dhe të studiuara mirë”, tha kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi duke shprehur shqetësimin e tij edhe ndaj komisionit parlamentar përkatës, duke theksuar se ky komision nuk ka pasur asnjë material studimor që e arsyeton krijimin e këtyre universiteteve.
“Dëshirojmë të kemi universitet, por universitete që kanë cilësi dhe që krijojnë kushte për studentët’, tha Krasniqi.

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e
Universiteteve Publike në Gjakovë, në Gjilan dhe në Mitrovicë, si institucione publike të arsimit të lartë, tha se kjo kërkesë popullore nuk i qëndron kriterit dhe ligjit, duke iu referuar pikave të caktuara të neneve të ligjeve në fuqi për ta argumentuar këtë fakt.
Kjo çështje sipas tij kërkon studim, planifikim, organizim dhe pas një projeksioni të mirë mund të procedohet në Kuvend.
“Mos kujtoni që unë nuk kam qejf të kemi universitete shumë dhe më të mirat, veçse formimi i universiteteve nuk është punë kaq e lehtë. Kjo çështje do planifikim, kushte, para, programe, studim të degëve dhe planifikim se ku do të shkojnë ata që marrin këtë dije”, tha nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti.

Deputetët gjatë diskutimit të tyre lidhur me këtë çështje theksuan se duhet pasur kritere të caktuara dhe kushte për themelimin e tyre në bazë të standardeve evropiane, ndërsa disa nga deputetët theksuan se vendimi qeverisë duhet të korrigjohet.

Pas diskutimit të deputetëve fjalën e mori kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Me këtë rast ai tha se qeveria ka marrë vendime përkatëse të përgatitura mirë duke u nisur nga baza kushtetuese dhe ligjore e Republikës së Kosovës për hapjen e universiteteve publike tjera në Kosovë. Ndërsa, tha se do ta kenë edhe bazën dhe mbështetjen financiare, ndërsa shtoi se nuk është mirë që të kontestohet aftësia dhe cilësia e profesorëve.
“Ju njoftoj se këto janë vendime së pari të nevojës së qytetarëve të ekonomisë së tregut dhe natyrisht se universitetet publike do të sjellin konkurrencë të ndryshme, në dije. Këto vendime nuk janë me karakter elektoral partiak, por janë në interesin e qytetarëve, nevojave të tyre dhe ekonomisë së tregut”, tha kryeministri Thaçi.

Pas përfundimit të debatit lidhur me këtë çështje, deputetët ratifikuan vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Universiteteve Publike në Gjakovë, në Gjilan dhe në Mitrovicë, si institucione publike të arsimit të lartë. ( Kuvendi Kosoves)