Eliverta KANINA: PEMA E JETËS…
Eliverta KANINA:
PEMA E JETËS…
Fëmijët e mi po rriten
Rriten përditë
Sikur duan të maten me qiellin
Ma plasin lëvoren e shpirtit
Teksa gërvishtin njëri tjetrin
Përqafen
Shtojnë degë të tjera
Degdisen
Sa më larg trungut
Nën syrin mosbesues prindëror
Gjethojnë
Harlisen
Forcohen
Ashtu si pa të keq
Na rëndojnë
Me gjeste e fjalë, teka e huqe
Teksa ne mbesim vetëm trungje
Që rrënjëve nën tokë ua dimë kimetin
Përpiqemi përmes limfës t’ua përcjellim
Me shpresën e frutave të nesërme
Gjithçka fëmijëve
Dritën, dijen, dashurinë, diellin
Edhe pse na e lodhin dashurinë
Orë e çast
Lut e falu
Veç për ta
Ne, edhe pa shkak u gëzohemi
Mbrapsht pa marrë asnjë kokërr djerse
T’i shohim e të përgjërohemi për ta
Veç sythet e tyre mezi ç presim
Nga afër apo nga larg, sido qofshin
Lulon shpirti dhe pema e jetës
Më pas
Le të vdesim…