Wednesday, September 4, 2024
AktualeLajme

“Medica Gjakova” debaton për dhunen ne familje

Në komunën e Gjakoves rastet e ushtrimit të dhunës në familje janë të shumta, por fatmirësisht viteve të fundit ka filluar edhe që ato raste të raportohen dhe të dalin në shesh.

“Që nga janari 2013 e deri në Maj po të këtij viti në polici janë raportuar 24 raste të dhunës në familje. Në të gjitha këto raste janë arrestuar shkaktarët dhe më tej me lëndët ka proceduar gjykata dhe ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me këta njerëz”, ka thënë përfaqësuesja e policisë Berlinda Berisha.

Ajo ka shtuar se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2012 numri i rasteve gjatë vitit 2013 është shumë më i madh, por sipas saj jo për shkak të rritjes së dhunës brenda familjes, por për shkak të vetëdijesimit dhe  raportimit të dhunës.

Të pranishmit në debatin që u organizua te marten nga Shoqata e Grave “Medica Gjakova”, konstatuan se shkaktarët e dhunës në familje janë të shumtë dhe secili prej tyre kërkon trajtim të veçantë nga shoqëria. Debatuesit, varësisht edhe prej pozicioneve dhe detyrave të tyre, kanë thënë se disa nga shkaktarët e dhunës në familje janë gjendja e rëndë ekonomike, përdorimi i drogës, sikurse në rastin e B.T., niveli i ulët i arsimimit e të tjera, mos integrimi në shoqëri.

Por, një konstatim interesant rreth shkaktarëve ka dalur nga përfaqësuesja e policisë Berlinda Berisha, e cila bazuar në përvojën e saj ka konstatuar se dhunë në familje shkaktojnë edhe njerëzit me arsim cilësor dhe gjendje të mirë ekonomike.