Gjakovaret me padurim e presin spektaklin Shqiperi-Norvegji
Vëmendja e futbolldashësve është drejtuar kah ndeshja e sontme kualifikuese për botërorin e ardhshëm të futbollit, Brazili 2014-të ku kombëtarja e Shqipërisë, përballet me Norvegjinë. Grupe tifozësh nga Gjakova sot do t’ia mësyjnë Tiranës dhe stadiumit “Qemajl Stafa”, për ti dhënë mbështetje skuadrës “kuq e zi” në rrugëtimin drejtë suksesit për pjesëmarrje në kampionatin botëror.
Gjakovarët kanë edhe një shkas shtesë për ta pritur me padurim këtë ndeshje pasi e përzgjedhura e Xhani De Biasit ka edhe një futbollist me origjinë nga Gjakova e ky është Amir Abrashi, i cili luan në Zvicër. Në një deklaratë për Radio Gjakovën, Abrashi ka thënë se, edhepse kishte mundësinë e zgjedhjes për ta përfaqësuar Zvicrën, kishte vendosur për Shqipërinë duke u ndie i lumtur shpirtërisht. Mesfushori i talentuar është mirëpritur në taborin e kombëtares, ndërsa, me ftesën që i është bërë nga përzgjedhësi i Shqipërisë, ka vazhduar traditën e bashkëvendësve: Besnik Hasit, Lorik Canës dhe Burim Kukelit.