Monday, December 30, 2024
AktualeLajme

35 shtëpi të reja në lagjen Kolonia

Rreth 180 banorë të komuniteteve RAE kanë strehim bashkekohorë. Është inauguruar të premten faza e dytë e ndërtimit të shtëpive në lagjen “Ali Ibra”, fazë nga e cila kanë përfituar 35 familje , të gjithë këta pjestarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.

Projekti për strehim dhe integrim të komuniteteve RAE në këtë lagje është inicuar dhe po implementohet nga disa partnerë, në mesin e të cilëve edhe komuna e Gjakovës, Caritasi zviceran dhe ai kosovar, Zyra e Kryeministrit, ministria për Kthim dhe Komunitete, Zyra austriake për Zhvillim e të tjera, ndërsa shuma totale që parashihet të shpenzohet deri në përfundim të projektit është rreth 3.4 milion Euro.

“Me këtë projekt po e mundësojmë një strehim të qëndrueshëm dhe një jetë më të mirë për këta qytetarë që me vite e kanë pritur këtë ditë”, ka thënë kryetari i komunës së Gjakovës Pal Lekaj, i cili megjithatë e ka pranuar se për përfundimin e kësaj faze kanë mbetur ende punë për tu bërë.

Në ceremoninë e inagurimit të 35 shtëpive të dyta në lagjen “Ali Ibra” kanë folur edhe përfaqësues të qeverisë së Kosovës, konkretisht zëvendës ministri për Komunitete dhe Kthim Husnija Beshkovic, ambasadorja zvicerane në Kosovë Cristina Martylang si dhe përfaqësues të Caritasit zviceran dhe kosovar, si donatorët kryesorë dhe inicuesit e projektit. Të gjithë këta e kanë vlerësuar lartë kontributin e përbashkët për integrimin dhe socializimin e qytetarëve të komuniteteve pakicë, duke shtuar se ky projekt është një shembull i mirë i këtij kontributi dhe angazhimi.