Në Ditën e radios, nxënësit vizitojnë Radio Gjakovën
Sot u shënua Dita Ndërkombëtare e Radios. UNESCO e ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si medium dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron. 13 shkurti është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë. Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon kishte thënë se radioja argëton, edukon, informon, si dhe ndihmon në popullarizimin e ndryshimeve demokratike në gjithë globin. Radio Gjakova për 43 vjet mbetet zë i besueshëm i informimit dhe argëtimit.
Më 9 Nëntor të vitit 1979, për herë të parë në historikun e Gjakovës nisi punën Radio Gjakova, dhe u dëgjua në etër “Ju flet Radio Gjakova. Pas largimit të dhunshëm disa vjeçar nga pushtuesi serb, me 14 Qershor 1999, me hyrjen e forcave të NATO-S në Kosovë dhe të UÇK-së, Radio Gjakova ishte e para radio në Kosovë, që rifilloi punën duke i dhënë kështu popullatës një ndihmesë të madhe, në të gjitha drejtimet. Programi, i sajuar prej një sërë emisionesh informative, foljore-muzikore dhe kulturo-artistike, u bë pjesë e jetës së përditshme në çdo familje, jo vetëm të Gjakovës e rrethinës së saj, por pothuajse i një pjese të madhe të territorit të mbarë Kosovës , ndërsa transmetimi i programit në internet ka mundësuar një dëgjueshmëri në gjithë botën.
Rrugëtimi i radios në Kosovë merr formë pas Luftës së dytë botërore. Fillimisht radio e parë transmetoi program nga Prizreni ku zëri parë i spikeres ishte i aktores dhe atdhetares gjakovare Hyrije Hana. Për shumë vite breza të tërë kaluan nëpër këtë medium. Veterani i radiogazetarisë, Feim Kurhasani në intervistën e ditës në valët tona, sot ka kujtuar rëndësinë që ka radioja në përditshmërinë tonë, anipse është menduar se me zhvillimin teknologjik, mediumet tjera do ta lënë në harresë. Me rastin e Ditës botërore të Radios sot nxënës të shkolles Zekirja Rexha vizituan Radio Gjakovën ku u njohën me radion si institucion i fjalës së lirë dhe argëtimit dhe provuan emocionin tek dëgjuan zërin e gazetarëve e spikerëve në mikrofon. Fëmijët ndoqën nga afër dhe eksploruan ambientet e brendshme të Radio Gjakovës. Mësuan rëndësinë jetike të shprehurit, ngjallën kureshtje, ushqyen fantazinë dhe përjetuan emocione, duke shprehë dëshirën që kur të rritën të bëhen pjesë e radios..