Saturday, September 7, 2024
Aktuale

Ekonomia gjakovare me probleme

Ekonomia

 

Ecuritë e pavolitshme  ekonomike bashkë me mosdefenimin e  statusit të Ndërmarrjeve Shoqërore  e kanë shoqëruar  komunën e Gjakovës  edhe gjatë vitit të shkuar, ndërkohë që drejtues të ekonomisë gjakovare thonë se përpjekjet e Kuvendit Komunal     kryesisht ishin të fokusuara në investimet kapitale të cilat janë vlerësuar si  parakusht i zhvillimit ekonomik.

Dikur qytet industrial me një ekonomi të zhvilluar dhe një shkallë të lartë të punësimit, Gjakova sot po përballet me sfidat e kohës .

Shpëtim Rezniqi, drejtor i Drejtorisë të Zhvillimit Ekonomik   thotë se Komuna e Gjakovës  për investitorët ofron kushte optimale duke u bazuar ne krijimin e sigurisë, korrektësisë si dhe transparence dhe gjithmonë është treguar e gatshme për partneritet. Gjakova  disponon me potenciale kadrovike e teknike të hapësirave për zhvillim biznesi,  por shumë ndërmarrje shoqërore nuk e kanë të zgjidhur statusin e vet ndërsa politikat kreditore janë të disfavorshme për bizneset . Sipas tij, pos potencialeve kadrovike dhe traditës për punën, Gjakova ka në  dispozicion rreth 60 mijë metra katror hapësira për zhvillimin e biznesit, mirëpo mosdefinimi i statusit të ndërmarrjeve shoqërore ka sjellë pasoja të mëdha që janë reflektuar me shkatërrimin e ndërmarrjeve e që më së rëndi është reflektuar në industrinë tekstile, Emin Duraku, atë Metalike “Metaliku”  e më pak tek KBI “Ereniku”.

Në anën tjetër Rezniqi ka shprehë edhe shqetësimet e tij rreth rezultateve të arritura me disa ndërmarrje të privatizuara. Ai e konsideron procesin e Privatizimit në Kosovë si të dështuar.

“Procesi i Privatizimit ka qenë i dëmshëm për tërë ekonominë e Kosovës e me këtë edhe për ne. Sa i përket Ekonomisë së Gjakovës procesi i privatizimit ka qenë i dëmshëm duke filluar që nga ish AKM-ja e tash edhe AKP-ja. Telashet  kanë filluar  së pari me mosnjohjen e statusit të ndërmarrjeve . Ato konsiderohen të  jenë shoqëri Aksionare. Ne si Komunë i kemi kryer të gjitha procedurat për këto ndërmarrje. Mirëpo tek ish menaxhmenti i AKM-se nuk janë përfillur kërkesat tona ligjore, andaj unë konsideroj se Procesi i Privatizimit në Kosovë ka dështuar” ka përfunduar  Rezniqi.(z.v)