Friday, August 30, 2024
Kulturë

Shkëlzen Doli solli festën muzikore në Gjakovë

Në një atmosferë të këndshme në Çarshinë e madhe të premten mbrëma ka filluar festivali  “GJAKOVA SUMMER FEST” me drejtues violinistin e shquar Shkëlzen Doli.  Interpretimet e shkëlqyera të Ansamblit Shkelzen Doli dhe mysafirëve të shumtë  për më shumë se dy orë zotëruan këtë zonë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Edhe mbrëmë u pa se Gjakova  e mbanë të gjallë shpirtin e artit dhe kulturës sonë. Çdo tingull ka paraqitur një histori, çdo melodi na lidhte me të kaluarën dhe çdo këngë na kujtonte rëndësinë e ruajtjes së traditave tona. Për këtë vlerësim të publikut gjakovar, Shkelzen Doli e tha në fillim të koncertit duke theksuar se,  shfaqja në teatër apo koncerti i mirë varet nga publiku i mirë, e i tillë është publiku në Gjakovë .

Ansambli nën udhëheqjen artistike të Ruzhdi Sadikut, interpretoi vepra të njohura muzikore që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe siç janë “Në fillim të verës”, “Vajza me kaçurrela”, “Në shtëpinë tonë” e tjera këngë filmash shqiptar. Para adhuruesve të muzikës u prezantuan edhe Skofiarët me këngëtarët Muharrem Mici e Miranda Hashani dhe këngët e paharruara, pastaj Adelina Qerimi me Marxhelon”.  Elita Hoxha shkëlqeu me këngën “Për mu paska kenë kismet” duke bërë me dije se po arrin kulmet e muzikës artistike. Pastaj dhe dueti i gjermanes Montana Zimerman e Taulant Lekaj me këngën “Të desha me hakikat” u mirëprit nga publiku.

Një nga interpretimet më të veçanta të koncertit të mbrëmshëm ku duartrokitjet zgjaten për disa minuta, ishte vepra “Baresha” e kombinuar me një këngë të vjetër gjakovare, “Ku po rrina sonte…” ku krahas Shkelzen Dolit në violinë ishin edhe të rinjtë e talentuar Lindi Pasha dhe Sibora Resyli nga shkolla e muzikës Prenk Jakova në Prishtinë.Edhe  Lindi 13 vjecar  edhe Sibora Resyli 12 vjecare, thanë se jetësuan një ëndër të tyren duke ndarë skenën me të madhin Shkelzen Doli.

Koncerti solli edhe këngë të bukura popullore që u interpretuan nga Mustafa Mehja dhe Zenel Doli, ndërsa u mbyllë me “Valsin e lumturisë” ku interpretuan të gjithë pjesëmarrësit e koncertit. Mundë të themi se mbrëmë ishte një festë e vërtetë e muzikës dhe kulturës sonë në qytetin i cili gjithmonë ka qenë një vatër e gjallë e artit dhe muzikës shqiptare, ku muzika gjen shtëpinë  e ngrohtë.

Më 24 Gusht  vazhdon nata e dytë e festivali  “GJAKOVA SUMMER FEST”  ku në të njëjtën skenë do të prezantohen Valon Shehu, Ndriçim Gazija dhe digjej Roni. Të dielen  në Parkun Kulturo Ali Podrimja, festivali mbyllet me një mbrëmje poetike muzikore që i dedikohet shkrimtarit gjakovarë me përmasa ndërkombëtare, Ali Podrimja pas të cilit do të performoj grupi muzikor Ashikët.z.v

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *