Tuesday, October 8, 2024
Kulturë

Hapet ekspozita “Ëndrrat brenda një ëndrre” të piktorit me rrënjë Gjakove, Nazmi Hoxha

Piktori  i njohur shqiptar nga Malësia e Gjakovës,  Nazmi Hoxha, i cili jeton dhe krijon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të hënën  hapi një ekspozitë në Galerinë e Arteve  në Gjakovë.  Ceremonia e hapjes së ekspozitës me titull Ëndrrat brenda një ëndrre,  e cila  është një gërshetim emocionesh  mes nostalgjive shqiptare dhe frymëzimeve amerikane, filloi me një minutë heshtje në nderim të piktorit akademik  Tahir Emra.

Piktori, Nazmi Hoxha  është i lindur në Tropojë të vjetër, studioj  për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe më pas u emërua mësues në vendlindje. Pas rrëzimit të regjimit komunist ai punoi si piktor në Radio Televizionin shqiptar dhe nga 2008 jeton në Amerikë.

Piktori Nazmi Hoxha, nga trungu i familjes Emra në  Gjakovë  ka shprehë kënaqësinë që ekspozitën po e hap në Gjakovë, në vendlindjen e babait të tij.

“Po e ndjejë thuajse  kjo është ekspozita ime e parë” tha Hoxha mes emocionesh të shumta dhe i prekur nga lajmi për vdekjen e akademikut Tahir Emra  të cilin një ditë më parë e kishte vizituar në Prishtinë.

Në jetën e tij artistike të piktorit Hoxha numërohen një seri ekspozitash nga vendlindja dhe shumë të tjera në Tiranë dhe në SHBA. Veprat e tij të shumta dhe të veçanta gjenden të përhapura në një hapësirë të gjerë studiosh, koleksionistësh, mjedisesh dhe familjesh artdashëse në Shqipëri, Kosovë dhe në SHBA.  

Drejtoresha e Kultures Adea Roka Pylla dhe drejtuesi i pallatit të kultures Asim Vokshi, Kati Zhubi theksuan se piktori Nazmi Hoxha është mjeshtër i kompozimeve, i peizazheve,  dhe i portreteve, të cilat të bëra bashkë sjellin një dëshmi të shkathtësisë dhe të thellësisë së tij si artist, pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti.

Në hapje të ekspozitës ishte i pranishëm edhe kryetari komunës Ardian Gjini. Pasi vlerësoi krijimtarinë e piktorit Nazmi Hoxha dhe kënaqësinë që krijimtaria tij përmes kësaj ekspozite sjellë për adhuruesit e artit pamor në Gjakovë, shprehu ngushëllime për vdekjen e akademikut Tahir Emra.

“Bota e artit humbi sot njërën prej vlerave më emblematike të kësaj sfere. Me dhimbje pranuam humbjen e akademik Tahir Emra, autorit të qindra pikturave e dhjetëra ekspozitave e laureatin e dhjetëra çmimeve, shpërblimeve e mirënjohjeve. Bota e Artit prej sot do të jetë më e varfër pa krijimtarinë e tij, por do të mbetet e fuqishme me veprën që akademik Emra e ka lënë pas” tha Gjini duke shprehur ngushëllime për familjen Emra dhe gjithë qytetarët e Gjakovës e Kosovës!

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë e arteve të Gjakovës për dy javë me radhë dhe adhuruesit e artit pamor janë të mirëpritur që të përjetojnë nga afër krijimtarinë e bujshme të autorit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *