24 shkolla po meremetohen para 2 shtatorit, komuna ndihmon Komisionin Zgjedhor
Bordi i Drejtorëve të KK të Gjakovës të martën ka diskutuar për përgatitjet që po bëhen në komunën e Gjakovës për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor. Silvana Haxhikadria, drejtore e Drejtorisë së Arsimit tha se aktualisht në meremetim janë 24 objekte, të cilat, me përjashtim të shkollës “Mustafa Bakija” ku ka punime shtesë, do të jenë të gatshme që në nismë të procesit mësimor. Në kuadër të këtyre përgatitjeve në infrastrukturë, do veçuar edhe objektin e ri të shkollës “Kelmend Rizvanolli” që është ndërtuar me donacionet e familjes Rizvanolli në vlerë prej 500 mijë euro, si dhe përgatitjen e objektit të ish shkollës së mesme “Nexhmedin Nixha” për hapësira të Universitetit Publik që fillon me një tetor. Kryetari Pal Lekaj, e ka quajtur si një rast unik kontributin e familjes arsimdashëse Rizvanolli për ngritjen e godinës së re bashkëkohore.
Bordi i Drejtorëve ka miratuar kërkesën e Komisionit Komunal Zgjedhor të adresuar ditë më pare për mbështetje logjistike dhe material për Komisionin Komunal Zgjedhor me qëllim të përmbushjes me sukses të obligimeve ligjore për përgatitjen sa më të mirë të zgjedhjeve lokale të vitit 2013, të cilat mbahen me datë 3 nëntor. Në kuadër të kësaj mbështetjeje është marrur vendimi që për nevojat e KKZ-së, një makinë e Komunës ti epet në shfrytëzim dymujor këtij institucioni zgjedhor.