Ambasadori Cliff inkurajon gratë që ti formalizojnë bizneset
Gjakova me shpalljen si zonë ekonomike do të orientohet në zhvillimin e turizmit ku produktet e grave artizanale do të jenë mjaftë të kërkuara, prandaj përgatitjet për këtë fazë që po vjen me zhvillimet e reja duhet bërë qysh tash, u tha kryetarja e komunës Mimoza Kusari Lila, grave përfituese të projektit për formalizimin e biznesve jo formale. Në fakt në kuadër të projektit “Bashkëpunimi ndëretnik i bizneseve joformale të grave” përkrahur dhe financuar nga Ambasada Britaneze në Prishtinë, sot në Gjakovë, Organizata Iniciativa e Femrës Kosovare organizoi Tryezën e rrumbullakët në të cilën është bërë fjalë për vështirësitë me të cilat ballafaqohen gratë në procesin e kalimit nga biznesi joformal ne biznesin formal si dhe mangësitë në promovimin e punës së tyre. Po ashtu me këtë rast është bërë edhe promovimi faqes së databazës ku mund të regjistrohen të gjitha bizneset joformale me të dhënat e tyre, në mënyrë që të krijohet lidhja e tyre me tregun brenda dhe jashtë Kosovës.
Eranda Kumnova Baci, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Iniciativa e Femrës Kosovare, ka thënë se qëllimi kryesor i këtij projekti është përpjekja për të ndikuar tek bizneset joformale për tu kthyer në formale, duke ju ofruar atyre konsultime, këshillime, përfaqësime ligjore dhe natyrisht regjistrim në bazën e të dhënave. Sipas të gjeturave të kësaj organizate në komunën e Gjakovës janë rreth 700 biznese jo formale, ndërkohë që, sipas saj, është një numër i madh i çështjeve që ndikojnë në mos ndryshimin e kësaj problematike.
Në anën tjetër, kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila, ka veçuar faktin se në Gjakovë numri i të punësuarve do të ishte shumë më i madh, nëse do të llogaritet edhe numri i bizneseve joformale, ndërkohë që ka potencuar fushat në të cilat do të kishin qasje këto biznese, të ndërlidhura edhe me shpalljen e Gjakovës si Zonë e Lirë Ekonomike, siç janë turizmi, artizanatet, industria ushqimore e të tjera.
Në këtë tryezë ka marrë pjesë edhe Ambasadori i Ambasadës Britaneze në Prishtinë Ian Cliff, i cili ka thënë se mbështetja e zyrës britanike për këtë projekt bëhet me qëllim të shtytjes së grave për të ecur përpara me biznes si dhe për tu bërë pjesë e vendimmarrjes. Në këtë tryezë ka fol edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike ne Gjakovë Masar Lluka, ndërkohë që Fatmire Bedra përfituese e këtij projekti, ka sjellë përvojat e saja në këtë fushë.