Qendra Inovative e Gjakovës hapi dyert solemnisht
Ndërtesa e bukur e ndërtuar nga jashtë me pamjen që inkorporohet me stilin e vjetër të Çarshisë së Vjetër të Gjakovës, ku dikur kanë funksionuar organizatat shoqërore politike të sistemit të shkuar, pastaj janë mbajtur mbledhje e tubime, ahengje, ballo e dasma deri sa u dogj dhe u shkatërrua nga piromanët serb gjatë luftës në Kosovë të vitit 1999, tash ka hapur dyert për të rinjtë që janë ë përkushtuar në ngritjen e bizneseve. Disa muaj pas ndërtimit të objektit dhe pas themelimit si institucion, të premten edhe zyrtarisht është inauguruar Qendra Inovative e Gjakovës, objekti i së cilës gjendjet në Çarshinë e vjetër të Gjakovës. Në një ceremoni modeste, inaugurimin e kësaj qendre e kanë bërë kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila dhe ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë Bernard Nikaj, dy institucione këto që kanë bashkëpunuar në ngritjen e kësaj qendre. Duke besuar fuqishëm në funksionalizimin e shpejtë të kësaj qendre, ministri Nikaj dhe kryetarja Kusari – Lila kanë premtuar se dy institucionet që ata drejtojnë do të jenë gjithmonë në gatishmëri për t’i ndihmuar funksionalitetit të qendrës dhe zhvillimin të saj vit pas viti.
Në këtë ceremoni kanë folur edhe zyrtarja e ambasadës norvegjeze në Kosovë Kathrina Ramberg dhe drejtori i Qendrës Inovative të Gjakovës Fatos Axhemi, të cilët gjithashtu kanë shprehur bindjen në suksesin e këtij institucioni.
Ndryshe, qendra inovative e Gjakovës është themeluar me financim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Qëllimi i këtij institucioni është që t’iu ofrojë ndihmë bizneseve fillestare duke u ndihmuar atyre që të mbijetojnë dhe të rriten gjatë periudhës së fillimit kur ato janë më të ndjeshme.