Thursday, January 2, 2025
AktualeLajme

Përkujtohet Masakra e Mejes

Meja marshiKolona e marshit të qytetarëve të Gjakovës,  që këmbë përshkruan rrugën nga qendra e Gjakovës deri në lëndinën e pikëllimit në Meje,  rreth mesditës së të dielës u bashkua me qindra familjarë nga shumë kënde të vendit që kishin ardhë në Akademinë qendrore të  Ditës së të pagjeturve në Republikën e Kosovës.

Në fakt me organizim të Komunës së Gjakovës dhe të Shoqatës “27 Prilli 1999-Meje”,   është shënuar pesëmbëdhjetëvjetori i masakrës më të madhe të luftës së fundit në Kosovë, ku janë vrarë dhe më pas zhdukur 377 persona. Në emër të Komunës së Gjakovës, familjarët i ka ngushëlluar kryetarja Mimoza Kusari Lila, ku në fillim të fjalës së saj ka pohuar se “kalendari i mbushur me data historike, ka të shënuar 27 prillin, ditën e dhembjes së madhe, ditën në të cilën nuk u kursyen fëmijët dhe të moshuarit. Jemi në përkujtimin e masakrës më të madhe në Kosovë, jemi në vendin e mbushur me varre të idealistëve, të atyre që shumë e ëndërruan lirinë, por pasi që arritën në pragun e saj, u rrëmbyen,  u dëbuan dhe u masakruan, duke mos e ndjerë kështu për asnjë çast realitetin e ëndrrës së pritur me shekuj”.

Duke shprehur më tej bashkëdhembjen, ajo  është shprehur se “nga këtu po u përcjell zërin e Komunës së Gjakovës, komunës së masakrave dhe varreve, komunës së trimave e të betejave, ndaj çdo institucioni dhe mekanizmi, ndaj çdo autoriteti dhe ndërmjetësimi, që sa më parë të përmbyllet ankthi i pritjes për trupat e pagjetur, se çdo nënë dhe familjarë dëshiron të dijë varrin ku do të shkojë me buqeta lulesh e me sy të përlotur”.

Meja mimoza marshiKryetarja Mimoza Kusari Lila ka folur shkurtazi edhe rreth punimeve që po kryhen në varrezat e martirëve në Meje, duke thënë se ” kemi përballë një memorial që po ndërtohet dhe ju siguroj se së shpejti këta martirë dhe dëshmorë do të keni vendin e pushimit, kurse në bashkë, vendin e nderimit”. Duke shprehur shpresën për një të ardhme më të bukur, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka thënë se  “Komunën e Gjakovës e pret një e ardhme e ndritur, me shumë projekte zhvillimore, me rikthimin në jetë të vlerave turistike, me ngritje të kapaciteteve bujqësore, me interesim të madh investorësh”.

Të pranishmit dhe familjarët në emër të qeverisë së Kosovës i ka ngushëlluar Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, i cili ka dhënë premtimin se nuk do të ndalojnë së punuari për të gjetur edhe 1712 persona tjerë të cilët figurojnë si të zhdukur. Më pas, në emër të komuniteteve fetare kanë ngushëlluar myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe padër Ndue Kajtazi nga Kisha e “Shën Ndout “të Gjakovës. Ngushëllime ka shprehur edhe Ramush Haradinaj, ish komandant i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit dhe kryetar i subjektit politik AAK, i cili ka thënë se “Meja është fakti më i fortë për dhimbjen e ndodhur”.

Arsim Gërxhaliu, nga departamenti i ekspertizës ligjore, Haki Kasumaj nga Këshilli i Familjarëve të Zhdukur të Kosovës dhe Haki Sadrija nga shoqata “27 Prilli 1999-Meje” janë dhënë zotime vazhdimisht do të punohet për të gjetur të zhdukurin e fundit.