Shqiponja qendër e kremtimit të Ditës së Dëshmorëve
Komuna e Gjakovës me homazhe në varrezat e dëshmorëve ka nisë shëninim e 17 majit, ditës së dëshmorëve të Gjakovës, ditë e cila është karakterizuar me nderim dhe respekt maksimal për të gjithë ata që me sakrificen e tyre ndihmuan në sigurimin e lirisë dhe pavarësisë së vendit.
Të shtunen është shënuar edhe 15 vjetori i çlirimit të fshatit Shqiponjë, ish – Jabllanicë, njëra ndër zonat më të rëndësishme gjatë luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe me këtë rast, në Jabllanicë u mbajt një akademi përkutimore, e cila poashtu u organizua nga komuna e Gjakovës.
“Këtu, në Shqiponjë, ishin shkrepëtimat e para të pushkëve të kërkimit të lirisë dhe pikërisht këtu u shkrepën pushkët e para të jehonës se liria erdhi. Ishin djemtë e brigadave 132 ‘Myrtë Zeneli’ dhe 135 ‘Agim Zeneli’ atë të cilët janë shembulli jo vetëm i sakrificës por dhe i përgaditjes së tyre që për atdheun të mendohet, të punohet dhe të lufohet pandarë”, ka thënë me këtë rast Kusari – Lila.
Në këtë akademi ka folur edhe ish – komandanti i zonës operative të Dukagjinit dhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se Shqiponja dhe Gjakova e kanë kaluar me nderë rrugën e rëndë të lirisë.
Në fjalën e tij, Haradinaj ka kujtuar thënien e Faik Konicës, se “rruga deri në nderë, është rrugë e vështirë dhe e sfilitur”. E kjo, shtoi Haradinaj, i shkon shumë këtij vendi, Shqiponjës, sepse, sipas tij, nuk ka shumë vende në Kosovë që kaq shumë u përshtatet ky emër.
Pasdite në Pallatin e Kulturës Asim Vokshi është mbajtur akademi solemne.
Duke folur me pietet për të rënët për liri, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka pohuar se jemi në proces finalizues të ngritjes së një shtatore të merituar dhe të madhe e cila në nderim të dëshmorëve do të ngritet në qendër të qytetit.
“Janë këta dëshmorë që sakrifikuan dhe me gjakun e tyre ne sot gëzojmë lirinë dhe njiherit pretendojmë të arrijmë një shtet të merituar dhe të zhvilluar. Kujtimi për dëshmorët është kujtim në ditëlindjen e tyre të dytë të përcaktuar si datë më parë nga Kuvendi i Komunës, dhe ne në këtë ditë i respektojmë në mënyre të posaçme, ashtu siç e meritojnë gjithnjë ti respektojmë dhe kujtojmë” ka pohuar kryetarja Mimoza Kusari Lila.
Në emër të veteranëve të luftës ka përshëndetur Sadri Hoxha, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Gjakovë. Ndërkaq, në emër të familjeve të dëshmorëve ka përshëndetur dhe falënderuar për organizimin, Beqir Zeneli.
Më pas është shfaqur një program artistik ku kanë marrur pjesë nxënësit e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”, asambli “Shqiponja e Dukagjinit” dhe aktori Afrim Muçaj.