Monday, December 30, 2024
Lajme

Certifikatat e lindjes, te martesës e tj. përmes internetit

Do të mënjanohen tollovitë para sporteleve të Ofiqarisë në Kuvendin komunal të Gjakovës, sepse qytetarët e Komunës së Gjakovës, duke filluar nga dita e hënë, /datë 19.05.2014,/  mundë të aplikojnë  online për shërbime komunale, certifikata e lindjes, martesës, shtetësisë…

Nga kompjuteri në shtëpinë tuaj apo kudo ku jeni mundë të aplikoni duke u kyçur në faqen e internetit të Kuvendit komunal të Gjakovës . Do të regjistroheni  me numrin tuaj personal dhe pastaj të ndiqni procedurat që ofrohen duke aplikuar. Do të keni mundësi që të kërkoni një certifikatë të lindjes, vdekjes, kurorëzimit apo të shtetësisë e më pastaj do të merrni konfirmimin përmes  postës elektronike në adresën tuaj. Do te merrni përgjigjen se kur do te jete e gatshme certifikata për ta tërhequr ne Kuvendin komunal.

armend VokshiArmend Vokshi, drejtor I Drejtorisë për Administratë në KK të Gjakovës sqaron mëtutje procedurat:

“Qytetarët që aplikojnë online për të marrë një çertifikatë, duhet që të plotësojnë të gjitha fushat e kërkuara në formularin e paraqitur në ëebfaqen e komunës http://kk.rks-gov.net/gjakove/. Mandej pasi të plotësohen të gjitha fushat e kërkuara duhet të shtypet butoni – Apliko – i cili gjendet në krahun e djatht  të faqes.

“Në e-mailin tuaj, të dhënë gjatë regjistrimit për shërbimet komunale, do të vijë një e-mail, i cili do të ju informoj për kërkesën e paraqitur dhe për procedurat që duhet të ndiqni deri në marrjen e certifikatës në zyret e ofiqarisë”.

Drejtori Vokshi  tha se shërbimet online të gjendjes civile mund t`i kryejnë vetëm  ata qytetarë, të cilët janë të regjistruar në regjistrat e gjendjes civile dhe programin e gjendjes civile.

“Qytetarët tjerë, të cilët nuk janë të regjistruar, do të informohen përmes një e-maili dhe pastaj ata duhet t’i vizitojnë zyrat përkatëse të gjendjes civile në komunë apo zyrat komunale në lokalitetet e tyre, për t`u njoftuar për procedurat për regjistrim në regjistrat dhe programin e gjendjes civile”.

Sipas  Vokshit,   po bëhen biseda me Postë Telekomin e Kosovës që certifikatat e kërkuara nga qytetarët  në të ardhmen derisa të arrihet marrëveshje, t’ ju dërgohen edhe në shtëpi.

Sipas Vokshit ky avancim në shërbimet  komunale mundësohet sipas projektit të digjitalizimit të administratës komunale të Komunës së Gjakovës.

“ Ky është edhe një avancim drejt shërbimeve më efikase dhe praktike ndaj qytetarëve. Kjo është një formë që shkurton procedurat dhe pritjet e qytetarëve dhe së shpejti do të arrihen edhe objektivat tjera që kanë të bëjnë me digjitalizimin e tërësishëm të administratës komunale, “ ka thënë Vokshi.