Friday, December 27, 2024
Fejtone

Dega e Lidhjes Shqiptare në Gjakovë

Masar Rizvanolli Shkruan: prof. dr. Masar Rizvanolli

Lexues të nderuar,

Nga ky numër i revistes fillojmë të botojmë fejtonin që i dedikohet Lidhjes Shqiptare, dega në Gjakovë, e cila kishte një rol të rëndësishëm në zhvillimet e mëtejme kombëtare. Falenderojmë prf.dr. Masar Rizvanollin për këtë  studim mjaft thelbësorë për këtë periudhë të kombit tonë,  e të cilën na e mundësoi për botim.

Redaksia

Lidhja shqip GjakoveVilajeti i Kosovës, i formuar më 1877, përfshinte, pos tjerash edhe Kazanë e Gjakovës, e cila bënte pjesë në Sanxhakun e Prizrenit. Në gjysmën e dytë të shek XIX qyteti i Gjakovës kishte një zejtari dhe tregti të zhvilluar, të cilat kushtëzoheshin nga pozita e përshtatëshme gjeografike dhe rëndësia strategjike e tij, që ndikuan në zhvillimin e lidhjeve tregtare me Shkodrën, Kosovën, Sanxhakun dhe vendet tjera të Ballkanit. Lidhjet tregtare të Gjakovës me Shkodrën, me bregdetin Adriatik dhe me Malësinë e Gjakovës nuk u ndërprenë as pas krijimit të lidhjeve të reja hekurudhore Selanik – Shkup (1873) dhe Shkup – Mitrovicë (1874). Veçanërisht, Malësia e Gjakovës ekonomikisht dhe politikisht ishte e lidhur ngusht me këtë qytet. Ndonëse sundimi I marrëdhënieve feudale dhe politika kapituluese e Portës ndaj kapitalit të huaj për shkak të kërkesave gjithnjë më të mëdha për mallra të popullsisë të viseve, me të cilat bënte tregti ky qytet dhe të përfshirjes së tij në rrjetin tregtar të shteteve të mëdha kapitaliste e penguin zhvillimin normal të mëarrëdhënieve kapitaliste, prapseprap këto marrëdhënie depërtuan edhe në ekonomin e Gjakovës. Zhvillimi i marrëdhënieve të tregut shkaktoi rritjen gjithnjë e më të madhe të ndikimit te shtresave të qytetare të tregtarëve dhe të zejtarëve, të organizuara në esnafet e terzive dhe të tabakëve, në jetën ekonomike dhe politike të vendit dhe përkrah kësaj bëri që të shtohet edhe ndikimi i intelektualëve, të cilët bënin përpjekje për përdorimin e gjuhës shqipe në sferat e ndryshme të jetës. Ashtu si në viset tjera të banuara me shqiptarë, ashtu edhe në Gjakovë nevojat praktike të tregut impononin përdorimin e gjuhës shqipe në letërkëmbimin tregtar. Kështu Jup Kabashi nga Gjakova i shkruante shqip firmës tregtare Stefan Biasnki në Shkodër. Në shkollën fillore shqipe, e cila ekzistonte që nga viti 1851, punuan edhe mësues laik si Pashkë Logoreci dhe Mihill Kurti. Në gjuhën shqipe filluan të përkthehen, në shekullin e kaluar, edhe vepra fetare. Autoritetet osmane nuk ushtronin pushtet të plotë në këtë trevë, fjalën kryesore e kishte partia e vendit e përbërë nga përfaqësuesit e shtresës feudale vendëse, nga krerët e fshatarësisë dhe nga përfaqësuesit e esnafëve. Popullsia e Gjakovësme rrethin i plotësonte detyrimet e ndryshme ndaj pushtetit osman vetëm gjatë ekspeditave ushtarake. Bile edhe në këto raste autoritetet qeveritare vështirë arrinin t’i vilnin taksat dh eta mobilizonin popullsinë e kësaj ane. Në fazën e parë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Gjakova me rrethinë mori pjesë më kryengrijet kundër reformave centralizuese të Tanzimatit, të cilat ishin shtrirë në një pjesë të madhe të tokave të banuara me shqiptarë. Këto kryengritje, për ndryshim nga ato të viteve 30 të shekullit XIX, patën karakter të ri shoqëror, politik dhe ideologjik, si në viset tjera, ashtu edhe në Gjakovë me rrethinë. Kështu me 1843, kur Porta u orvat ta vendos administraten e re, Gjakova iu bashkua kryengritjes, që kishte filluar në Sanxhakun e Prishtinës. Banorët e Gjakovës ngritën përsëri krye, në mars të vitit 1845, kundër urdhërit për dorëzimin e armëve. Këtyre iu bashkuan, në maj të po atij viti, kryengritësit e Rekës, të Bytyçit, të Gashit dhe të Krasniqës , në krye të të cilëve qëndronin Binak Alia dhe Sokol Rama. Këta kryengritës, numri i të cilëve arriti në 8 mijë, arritën ta dëbojnë për një kohë garnizonin osman nga Gjakova.

 

GJAKOVAPRESS  Nr. 70    vijon….