Hadi Shehu sërish në skenë me “Pjaten e drunjtë”
Aktori i madh i skenës shqiptare Hadi Shehu kthehet në skenë me projektin më të ri të Teatrit Profesionist të Gjakovës, “Pjata e drunjtë” nga Edmond Morrison e në regji të regjisorit nga Tirana Gëzim Kame. Regjisori Kame ka pasur dje takimin e parë me aktorët gjakovarë duke bërë publike dinamikën e inskenimit të kësaj shfaqje me tematikë sociale e që në qendër të vëmendjes ka plakun, të cilin duan ta largojnë në një azil pleqërie. Kjo është një dramë sociale, e pranishme, e prekshme, tronditëse , për vatrat tona te mbushura me drama të tilla, ka thënë regjisori Gëzim Kame.
Në rolin e plakut do të paraqitet Hadi Shehu, ndërsa në këtë shfaqje luan edhe aktorja e mirënjohur Rajmonda Bulku e cila i bashkohet trupës artistike të Teatrit të Gjakovës për herë të parë.
Sipas drejtorit Edi Kastrati projekti teatror “Pjata e drunjtë” është mbështetur
nga Drejtoria e Kulturës së Komunës së Gjakovës, në vlerë prej rreth dhjetë mijë euro, si dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, e cila ka ndarë po aq mjete.Kjo shfaqje do të jetë premiera e parë e këtij viti e Teatrit Profesionalist të Gjakovës ndërsa premiera e saj do të shfaqet pas një muaji..