Pas hendbollit botëror në Gjakovë vjen shahu evropian
Edhepse skuadrat sportive të Gjakovës në futboll dhe hendboll nuk kanë arritur sukses të dëshiruar në kampionatin e shkuar, Vëllaznimi në futboll ra nga superliga dhe hendbollistët e Vëllaznimit u pozicionuan të fundit, Gjakova mbetet qendër sportive e kampionateve ndërkombëtare. Pas kampionatit botëror të hendbollit për shtetet në zhvillim, që u mbajt në Prishtinë e Gjakovë , Kosova, dhe pikërisht qyteti ynë do të jetë nikoqir edhe i një ngjarje tjetër sportive. Bëhet fjalë për kampionatin e shahut i cili do të zhvillohet në vitin 2016. Shtëpia më e madhe e shahut evropian ia ka dhënë dritën e gjelbër Kosovës, duke shprehur besimin që vendi ynë do t’ia dalë në mënyrën më të mirë ta organizojë eventin në të cilin marrin pjesë 300 deri në 500 shahistë nga vende të ndryshme evropiane. Ky kampionat pritet të mbahet në qytetin e Gjakovës, nën patronatin e Kryetares së Komunës, Mimoza Kusari-Lila.
Njëri nga zyrtarët e Federatës Ndërkombëtare të Shahut, Zurab Azmaiparashvili ka thënë se është i sigurt që Kosova do të bëjë gjithçka të mundur që të ketë një organizim të suksesshëm. Kështu mes 13 e 26 majit të vitit të ardhshëm Gjakova do të jetë nikoqire e shahistëve më të mirë nga Evropa.