Thursday, March 6, 2025
AktualeKulturë

Fillon Komediafest 2015

komediafestNëntë shfaqje të zhanrit komedi, pantomimë e satirë, përbëjnë agjendën e edicionit të sivjetmë të festivalit që i dedikohet komedisë. Edicioni i katërt i “Komedia Festit” shtrihet midis datave 29 gusht e 5 shtator. Gjakova edhe këtë vit është nikoqire e festivalit që gjallëron jetën kulturore të qytetit, duke sjellë shfaqje, punëtori, ekspozita e aktivitete të tjera. “Komedia…” rikthen për të dytën herë në Kosovë artistin e njohur të pantomimës, Adam Darius, i cili ka performuar në 85 shtete përgjatë gjashtë kontinenteve. Darius – që vitin e kaluar kishte performuar në festival – rikthehet në skenën e pallatit të kulturës “Asim Vokshi” me shfaqjen “The parade”, i shoqëruar nga Kazimi Kolesnik. Si shkrimtar, ai ka publikuar 18 libra dhe ka shkruar 22 shfaqje. Aktualisht Darius jeton në Espoo të Finlandës. Përveç shfaqjes së tij, në kuadër të “Komedia Festit” do të shfaqen edhe “Emigrantët”, “Ata hynë pa trokitur”, “Çehovi ia thotë lamtumirën Tolstoit”, “Dashnori i nënës sime” etj. Kjo e fundit – prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës me Leze Qenën e Adem Mikullovcin aktorë kryesorë – do të hap festivalin mbrëmjen e së shtunës.

Nëntë shfaqjet që janë pjesë e edicionit të sivjetmë të festivalit tubojnë në Gjakovë trupa artistike nga Presheva, Kumanova, Prizreni, Tirana, Peja dhe Prishtina. Lekë Rezniqi, menaxher i “Komedia Festit”, në konmferencën për medie ka folur për risitë e këtij edicioni.

Sipas tij, “Komedia Fest” edhe këtë edicion është fokusuar që t’u japë përparësi trupave që s’janë prezantuar më herët në Gjakovë.
“Zakonisht u japim përparësi trupave që s’kanë marrë pjesë më herët. Këtë vit jemi shumë të lumtur që merr pjesë trupa nga Presheva, duke pasur parasysh situatën atje dhe sfidat me të cilat përballen artistët preshevarë”, ka thënë ai. Rezniqi po ashtu ka shtuar se “Komedia Fest” nuk do të kufizohet vetëm me shfaqje. “Aktivitetet e festivalit të komedisë zgjerohen edhe me dimensionin e karikaturës me hapjen e ekspozitës retrospektive ‘Therë Murrizi’ që është edhe risia e këtij edicioni”, ka thënë ai. Ekspozita “Therë Murrizi” me vepra që artisti Ramadan Zaplluzha i ka realizuar ndër vite, do të hapet në ambiente të galerisë në pallatin e kulturës “Asim Vokshi”. Ai do të mbajë edhe punëtori me fëmijët e komunitetit të të shurdhërve. Punëtoritë e takimet e pjesëmarrësve të festivalit do të mbahen në Muzeun Etnologjik, ndërsa shfaqjet jepen në Pallatin e Kulturës. Sipas Rezniqit, “Komedia Fest” është një ngjarje kulturore që ka për qëllim të krijojë atmosferë kulturore në qytetin e Gjakovës.(