Albulena Kryeziu- aktore: Më ka rritur shpirtërisht atmosfera e skenës
Gjakova është qytet i traditës për kulturën. Familjet gjakovare në breza e kanë përcjellë dashurinë për muzikën, teatrin dhe kulturën përgjithësisht …E tillë është edhe familja Kryeziu prej nga ka dal aktorja e popullarizuar Albulena Kryeziu. Ajo thotë se është rritur në skenën e teatrit të Gjakovës, pasi mami saj, pëshpëritësja e teatrit Servete Kryeziu, si fëmijë gjithnjë e ka marrë me vete, në prova e shfaqje. “Jam rritur me atmosferën e teatrit, me lojën e aktorëve, me skenat, me dritat, me duartrokitjet… Ndoshta kjo më ka ushqyer shpirtërisht të bëhem kjo që jam, një aktore…” thotë protagonistja e intervistës , Albulena, një vajzë bukuroshe, e thjeshtë, e mençur dhe plot optimizëm për një jetë të vrullshme në teatër dhe film. Edhe pse kaq në moshë të re, ajo ka se çka flet për fillimin, ecjet dhe arritjet, ashtu siç dhe ka ambicien të sheh dhe ecë përpara duke u ballafaquar me të ardhmen pa frikë, sepse ka lindur dhe është rritur me dashurinë për artin dhe teatrin.
Si lindi dashuria për teatrin dhe aktrimin?
Çdo gjë nisë nga familja. Kam ndjekur mamin, kur ajo shkonte në teatër (pasi që mami im punon në Teatrin e Gjakovës si pëshpëritëse), fëmijët tjerë shkonin në kopsht ndërsa unë shkoja në teatër, doja të isha prezente në të gjitha provat që mbaheshin. Urreja kopshtin dhe shkoja në teatër. S’e di nëse mund ta emërojë këtë mundësi, fat apo rrugë, unë thjeshte jetoja me teatrin çdo ditë të jetës sime.
Me cilin rol je paraqitur për herë të parë para publikut dhe a ka qenë ai roli që ju keni dashur?
Roli i parë i imi ka qenë roli i një zogut të vogël në shfaqjen “Princesha e shkrepave” në vitin 1992 në teatrin e Gjakovës. Ai ka qenë edhe akoma mbetet një ndër rolet më të dashur për mua, edhe pse tani kam një kujtim të turbullt nga ajo shfaqje sepse isha diku rreth 5 vjeç, unë mundohem ta ruajë gjithmonë në zemër paraqitjen time të parë në teatër.
Çfarë mendon për teatrin mbarëshqiptar, dhe ku mendon se është ndryshimi?
Se di nëse kam guxim të flasë për teatrin mbarëshqiptarë sepse unë jam ende e re që të flasë për këtë aspekt por megjithatë kam përshtypjen se teatrot tona dita dites po zhvillohen çdo herë e më shumë. Shpresojmë që teatrit ti jepet hapësirë edhe më e madhe dhe të jetë në lartësinë e duhur.
Cili është roli që ju e keni luajtur më me dëshirë?
Rolet shume kush i konsideron si fëmijët, nuk mund t’i ndash, sepse secili rol është krijesë me vete. Është diçka qe i mban brenda vetes dhe kur mendon cili është më i dashuri nuk mund të veçosh asnjërin. Të gjithë janë aty me ty dhe diçka nga ato role bëhen pjesë e personalitetit të çdo aktori.
Je nga Gjakova dhe jeton në Prishtinë, mendon se sakrifikon dhe familjen vetëm për aktrimin?
Mendoj që sakrifica ime është për diçka që realisht e dua. Kur diçka e dëshiron me të vërtet në jetë mendoj që sakrifica është armë e fortë, është dëshmi kundrejt asaj dashurie. Dihet që sakrifica është pjesë a artit, por megjithatë mendoj se është diçka e bukur kur ke për çka të sakrifikosh.
Për ty zilia është defekt apo i jep shtytje profesionalizmit?
Të them të drejtën se kam menduar kurrë, megjithatë ajo varet nga karakteri i një individi dhe rrethanat në të cilat ai individ gjendet.
Sa ishte e vështirë të depërtosh në estradë, thjesht fat apo mendon se ti je ajo që i dhe mundësinë vetes?
Disa gjëra vijnë pa i menduar. Ka shumë vite që investoj në profesionin tim si aktore dhe tani secili projekt që më ofrohet nuk më çudit më aspak sepse puna ka si rrjedhojë rezultatet që nganjëherë të duken si të pa arritshme.
Kemi dëgjuar se keni marrë pjesë në një shfaqje me regji të Sllobodan Unkovskit, dhe ka përmasa ndërkombëtare, diçka më shumë rreth këtij projekti!
Isha e kyçur në projektin “Per Gytni” shfaqje në regji të Sllobodan Unkovski-t me pjesëmarrje të aktorëve të mëdhenj Bajrush Mjaku dhe Yllka Mujo. Ishte projekti i parë më duket i përmasave të këtilla mbarëkombëtare pasi që është i financuar nga teatri kombëtar i Kosovës, Teatri shqiptar Shkup si dhe Ministria e kulturës Tiranë. Ishte një shfaqje spektakël. Puna me regjisorin Unkovski ishte një privilegj për mua dhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij ekipi të madh. Gjithashtu kënaqësi për mua ishte të punoj edhe në teatrin shqiptar të Shkupit së bashku me kolegët e mi nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
E dimë që e ke rolin kryesor në serial vendor “ Stinë dashurie”, sa jeni e kënaqur me këtë rol?
Është kënaqësi e veçantë që ky rol më ka takuar mua, por sa jam e kënaqur unë me punën time është pak e vështirë të thuhet. Gjithmonë mundohem ta jap më të mirën nga vetja por prapë se prapë lë hapësirë për vetëkritikë.
Albulena dhe Mimoza, cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet e këtyre karaktereve, me një fjalë a e gjeni vetën tek roli i Mimozës?
Të krijosh një karakter do të thotë 1+1 = 1 që do të thotë vetja dhe personazhi krijojnë një karakter të ri. Kështu që diçka të përbashkët kemi, ndoshta një qetësi në momente të vështira. Kjo është një nga karakteristikat e përbashkëta.
Keni diplomuar qe shtatë vite, sa ju kanë ndihmuar rolet e deritanishme për avancimin e këtij profesioni?
Secili rol është si të thuash një shkollë në vete. Varet nga mënyra se si i qasesh, por normalisht që përvoja për një aktore është një minierë e vërtetë.
Si fillon një ditë e juaja?
Një ditë e imja e zakonshme është me prova ose xhirime! Gjithçka e organizoj në bazë të projekteve në të cilat jam e angazhuar. Në kohën kur nuk kam punë, dal pi ndonjë kafe me shoqet e mija ose edhe dal thjeshtë për të ecur.
Cilat janë fillet e karrierës tuaj në këtë profesion?
Paraqitja ime e parë në skenë ka qenë kur i kam pasur 5 vjet. Por nëse flasim për karrierë profesionale konsideroj që ka filluar menjëherë pas diplomimit.
Zbuloni për ne ndonjë ekskluzivitet nga sezoni i dytë i serialit “Stinë Dashurie”?
Nuk është se mund të zbuloj ndonjë gjë të re, nuk kemi filluar ende me xhirime kështu që nuk jam në dijeni se çfarë do të ndodhë në sezonin e ri.
Nëse nuk do të ishte aktrimi cilin profesion do e zgjidhje?
Nuk e kam menduar kurrë një profesionin të dytë. Mbase është keq për mua, por sinqerisht veten nuk e shoh në asnjë profesion tjetër. Mbase kuzhiniere, gjellëbërëse pasi që gatimin e konsideroj si një pasion të madh timin.
Në Kosovë nuk ka edhe aq kushte për zhvillimin e këtij profesioni. Por ju si e gjeni vetën në praktikimin dhe në luajtjen e roleve?
Artistët në Kosovë, (shumicën prej tyre) i mban një “entuziazëm artistik”nëse mund ta quaj ashtu. Me gjithë vështirësitë që hasim, prapë se prapë jetoj prej këtij profesioni dhe pavarësisht dëshpërimeve vazhdoj përpara.
Nga cilat kritere caktohet një rol përkatës?
Normalisht që i kam parimet e mija si aktore, jo çdo rol është për mua. Kriteret varen nga rrethanat që krijohen. Kushti i parë është skenari, pastaj kush është regjisor/e etj.(Gjakovapress Nr. 83)