Komuna nderon Ruzhdi Bakallin dhe Sevdai Radogoshin
Ruzhdi Bakalli është nderuar me çmimin “Gjakovari i Ndritur”, në një ceremoni që është mbajtur sonte në Gjakovë. Me mirënjohje për kontributin e tij në artin e komedisë është nderuar edhe Sevdai Radogoshi.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka nderuar të premten në mbrëmje me çmimin “Gjakovari i Ndritur” Ruzhdi Bakallin si dhe me Mirënjohje për humoristin e shquar Sevdai Radogoshi.
Me këtë rast kryetarja Mimoza Kusari Lila është shprehur se ndjehet e nderuar që të ndan këto çmime për dy personalitete të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të çmueshëm në fusha të caktuara. Ajo është shprehur se çmimi “Gjakovari i Ndritur” i jepet Ruzhdi Bakalli për kontributin e tij të hershëm në sferën shoqërore dhe politike me një angazhim të vazhdueshëm në promovimin e Komunës së Gjakovës. Si një personalitet që ka ngritur emrin e qytetit të Gjakovës me humanizmin, intelektin dhe kontributin e tij të vazhdueshëm. Ndërsa, ka theksuar që ne duhet në vazhdimësi të nderojmë figurat të cilat kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm për vendin tonë, duke u shprehur se guri më së shumti peshon në vendin e vet. Nga ana tjetër, Bakalli është shprehur i emocionuar që ky çmim ka një rëndësi të veçantë për të pasi që vlerësohet nga vendlindja e tij, dhe i cili do të mbetet një ndër cmimet më të mëdha në jetën e tij.
Poashtu, në këtë ceremoni kryetarja Kusari Lila në emër të Komunës së Gjakovës, ka ndarë edhe Mirënjohje për Sevdai Radogoshin, me motivacionin për kontributin e dhënë në promovimin dhe avansimin e artit dhe komedisë në trevat shqiptare dhe më gjërë, si një artist me vlera të veçanta dhe një aktor me shumë role të paharruara komike. Ajo ka shtuar se Sevdai Radogoshi është një nga personazhet që më së shumti i ka sjellur origjinalitet skenës dhe humorit shqiptar. Për këtë çmim, Radogoshi ka thënë se ndjehet mjaft i nderuar dhe se kjo është një forcë edhe më e madhe për artistët të cilët kontribuojnë në vendin e tyre kur nderohen nga vendlindja e tyre.