Tuesday, November 5, 2024
Sporti

Vëllaznimi po vjen me një lojë të re

VellaznimiNë kuadër të përgatitjeve për stinorin pranveror futbollistët e Vllaznimit këtë fundjavë kanë zhvilluar dy ndeshje stërvitore me Prishtinën dhe “2 Korrikun”. Njëmbëdhjetë përforcimet që udhëheqësija e klubit solli në Gjakovë, zgjuan kureshtjen e futbolldashëve gjakovarë për ti ndjekur me interesim këto dy paraqitjet e para  të Vëllaznimit para stinorit pranveror. Me Prishtinën, anëtare e superligës u zhvillua një ndeshje cilësore, me ritem thuase ishte ndeshje kampionale,  dhe me plot aksione por që përfundoi me rezultat të barabartë 1 me 1.
Nderkaq një ditë më pasë  u zhvillua ndeshja e dytë  miqësore kontrolluese me “2 Korrikun e Prishtinës ku “Kuq e zinjtë” shënuan fitore 2 me 0. Në ndeshjen  me “2 Korrikun” pjesa e parë u mbyll pa gola, dhe kaloi në shenjë të dominimit të mysafirëve,  derisa me të filluar e dyta Valmir Zariqi që erdhi nga Feronikeli, shënoi me kokë, para se Dior Zabërgja  që erdhi nga Vushtrria t’ia vinte vulën këtij ballafaqimi. Pas barazimit të së shtunës me FC Prishtinën 1:1, kjo ishte fitorja e parë e Vëllaznimit në ndeshje kontrolluese.
Gjatë këtyre ndeshjeve shtabi teknik me në krye trajnerin Arsim Gojani sprovuan pothuajse të gjithë futbollistët dhe nga afër përcollën formën e secilit futbollist që konkurron për njëmbëdhjetëshin më të mirë. Një tjetër ndeshje pritet të zhvillohet të mërkurën me Gjilanin anëtar i Superligës së Futbollit të Kosovës.