Filloi ndërtimi i Fontanes së re në Parkun kryesor
Gjakova dikur e ka pasur parkun kryesor ndër më karakteristikët në vend. Pishat e larta, drunjtë e shumtë dekorativ dhe shtigjet e freskëta e plot lule e gjelbërim e bënin këtë një oazë perfekte gjelbërimi. Të moshuarit me nostalgji e kujtojnë parkun e dikurshëm që mirëmbahej me një kujdes të shtuar. Por, tash , ka shumë vite që parku qendror, anipse shumë shpesh është rinovuar, nuk është ai që e dëshirojnë qytetarët. Komuna po bënë përpjekje që t”ia kthej namin parkut të Gjakovës. Kohë më parë kishte organizuar konkurs për idenë më të mirë të prezantuar nga arkitekt kosovarë ndërsa, projekti fitues ka filluar të realizohet që nga dita e sotme hap pas hapi. Kështu sot kanë filluar punët në ndërtimin e fontanës së re në qendër të parkut ndërkohë që do të bëhet edhe demolimi i fontanës së vjetër.
Fontana e re do të ndërtohet në një sipërfaqe prej mbi 200 metra katror dhe do të jetë e bukur dhe atraktive. Në drejtorinë e shërbimeve publike, thonë se kostoja e këtyre punimeve kap vlerën prej 50 mijë euro, ndërsa pas këtyre punëve, pritet që parku qendror të ketë një pamje shumë më atraktive dhe joshëse për kalimtarët dhe ata që kalojnë orë të tëra në freskinë e parkut.