Flaka që flakëron me zërin
Intervistë me solisten e operave Flaka Goranci
Flaka Goranci i takon brezit të ri këngëtarëve tëmuzikës klasike që me zërin e saj me sukses performon veprat e kompozitorëve më të njohur në botë pa i lënë prapa edhe veprat e kompozitorëve shqiptarë, të cilat i interpreton me një ndjenjë akoma më të ndjeshme. Pjesëmarrja e saj në koncertet e ndryshme gjithnjë ka lënë përshtypje tek adhuruesit e muzikës klasike. Së fundmi e pamë në Gjakovë. E pamë tek interpretoi në spektaklin “Ku ka si ti o Shqipëria ime” bashkë me violinistin e shquar Shkelzen Doli dhe miqtë e tij. Flaka, si gjithnjë shkëlqeu me zërin e ëmbël dhe bukurinë e saj edhe në këtë koncert si në shumë të tjerë duke marrë si dhuratë duartrokitjet e publikut. Ky ishte shkas për të bërë një bisedë për revistën “Gjakovapress”.
Sa jeni e kënaqur me prezantimet tuaja artistike në këtë vit?
Ka qene një vit mjaft dinamik për mua. Jam mjaft e kënaqur me gjithçka që ka ndodhur këtë vit. Kam punuar shumë në këtë drejtim dhe rezultati ka qene shumë i mirë.
Cilën nga prezantimet tuaja para publikut e vlerësoni lartë?
Çdo prezantim para publikut ka rëndësinë e vet, por do të veçoja prezantimet e mia nëpër opera, ku përgjegjësia duhet të jetë shumë e madhe. Pastaj do të veçoja paraqitjen time në Venecia, koncertet në Izrael, Angli, pastaj Koncertin humanitar që u ndoq nga miliona shikues, ku pata rastin të këndojë bashkë me sopranon tonë të njohur Ermonela Jaho, koncertin në Gjakovë ku performuam së bashku me violinistin tonë nga Gjakova Shkelzen Doli dhe se fundi edhe paraqitjen time në Gjermani.
Në fillim të stinës së verës morët pjesë në koncertin e violinistit të shquar Shkëlzen Doli. Çka mendoni për këtë koncert që iu dedikua 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe pritjes që ju bëri publiku?
Gjakova është me fat që ka një violinist si Shkëlzen Doli, i cili me gjithë aktivitetin artistik që ka në Vjenë dhe ne gjithë botën, ai asnjëherë nuk e harron Gjakovën. Ka qenë një koncert që do të ngelet gjatë në mendjen time dhe të gjithë atyre që ishin prezent. Gjithçka atë natë ka qenë magjike. Publiku ka qenë i mrekullueshëm dhe unë jam shumë e lumtur për mikpritjen që më ka bërë publiku! Ka qenë një ndjenjë që më bënë të mendohem që së shpejti të paraqitem po para këtij publiku të mrekullueshëm që vetëm Gjakova mund ta ketë.
Flaka ti kthehemi rrugëtimit tënde për muzikën. Cilët ishin hapat tu të parë në botën e muzikës?
Që në fëmijëri kam filluar mësimet e para në piano, në shkollën e muzikës në Gjakove “Prenk Jakova’’, në klasën e profesorit të ndjerë Shefqet Kazazi. Kam pasur fatin te jem nxënëse e prof. Kazazit, sepse ka qenë një profesor i cili ka kërkuar shumë nga nxënësit dhe në muzikë puna sistematike është e domosdoshme nëse do të jesh një muzikant ose këngëtarë i suksesshëm. Po në Gjakovë ka qenë edhe paraqitja ime e parë si këngëtare në moshën 9 vjeçare ku këndova në festivalin për fëmijë që organizohej atë kohë nga profesor Sabah Bytyqi, “Zëri më i bukur fëmijëror”. Në atë festival u shpërbleva me çmimin e pare. Dhe si të thuash ky vlerësim ka qenë edhe një arsye që më ka bërë të mendoje më vonë me seriozisht për profesionin si këngëtare e muzikës klasike.
Gjakova njihet për traditën që ka për muzikën, por shumica e adhurojnë muzikën popullore. Ju u përcaktuat për muzikën klasike. Pse?
Unë jam me fat që jam rritur në një ambient si Gjakova, ku pothuajse të gjithë dinë ta dallojnë cila muzikë është e mirë e cila më pak e mirë. Kurse muzikën popullore e adhurojmë të gjithë. Përcaktimi im për muzikën klasike ka filluar që nga mosha e fëmijërisë, atëherë kur unë fillova të njihem me pianon dhe me veprat madhështore të kompozitorëve si Mozart, Bethoven, Hendel, Chopin, Brahms etj…
Vazhduat shkollimin për muzikën. Sa e vështirë dhe mbresëlënëse për ty ishte kjo rrugë?
Po, kam studiuar katër vite në Akademinë e Muzikës në Tiranë me profesoreshën Suzana Frasheri dhe po ashtu dy vite në Izrael me profesoreshën Tamar Rachum. Kam pasur shumë fat që kam studiuar në Tiranë, do të ngelet si rruga më e rëndësishme për mua. Kjo më bëri që pas një studimi shumë të ngjeshur atje arrita të fitoj bursën që më shpiu në studimet për master në Izrael, në një shkollë që njihet në tërë botën dhe ka një nivel që mbledh studentë shumë të talentuar nga e gjithë bota.
Secili vend dhe e gjithë kjo rruge ka pasur bukuritë dhe vështirësitë e shumta por kur dëshira dhe vullneti është i madh të gjitha kalohen dhe kujtohen vetëm ato te bukurat në fund.
Keni pasur shumë koncerte në karrierën tuaj dhe shumë role. Cilat mund ti veçoni me këtë rast?
Kam luajtur rolin e Rozines nga Opera “Berberi i Seviljes” e kompozitorit italian G.Rossini, rolin e Kerubinit nga opera “Dasma e Figaros’’ VV.A.Mozart, Dido nga opera “Dido dhe Enea” H.Purcel, Dorabella nga opera “Keshtu veprojnë të gjithë” Mozart dhe rolin e Nënës nga opera “Po thenesi” K.VVeil.
Poashtu kam qene protagoniste edhe në tre muzikale me regji të regjisores së famshme amerikane Ellen Stevvart…dhe pjesëmarrëse në shumë koncerte solistike të mbajtura në Amerikë, Itali, Angli, Gjermani, Turqi, Izrael, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi…Secila paraqitje për mua ka një rëndësi të veçantë.
Keni provuar edhe duartrokitjet, shpërblimet?
Ku ka më bukur se të provosh duartrokitjet nga publiku. Ajo është dhurata më e bukur që mund të marrësh. Sepse po ta shohësh, kur je në skenë ju përket të gjithëve. Unë dal në skenë dhe mundohem të jap më të mirën për publikun dhe duartrokitja e tyre është falënderimi më i madh që mund të marrë. Pra, është një komunikim me gjuhen e muzikës. Poashtu edhe çmimet janë shumë të rëndësishme. Jam shpërblyer me disa çmime kryesore si në Shqipëri, Kosovë, Izrael dhe së fundi pata rastin të fitoj edhe si pjesëmarrësja më e mirë e një master-klasi internacional që u mbajt në Prishtinë.
Cilat janë karakteristikat që një mezzo soprano të jetë komplete?
Karakteristikë e parë për një këngëtare opere në përgjithësi duhet të jetë zëri e pastaj shumë i rëndësishëm është interpretimi muzikor dhe ai skenik si dhe saktësia dhe përgjegjësia kur je në skenë. E gjithë kjo kohë duhet të ketë për bazë një punë dhe përkushtim shumë të madh.
Muzika klasike në Kosovë ende nuk e ka publikun që me siguri edhe ju krijuesit do ta dëshironit. Çfarë mundë të na thuani?
Sipas mendimit tim, për momentin në Kosovë ka më shumë publik sesa ka hapësirë dhe kushte për të krijuar ose për ta shfaqur krijimtarinë artistike. Një shtet, për të pasur një kulture në nivel duhet të qëndrojë mirë në të gjitha fushat e sidomos duhet të jetë shumë i fortë ekonomikisht.
Keni sprovuar edhe skenat ndërkombëtare. Cila është përvoja nga këto koncerte?
Ne këngëtaret duhet të këndojmë në shume gjuhë të botës dhe kur këndon në shumë gjuhë duhet edhe të ndjesh sikur je nga këto vende. P.sh. Kur këndojë në Gjermani në gjuhen gjermane dhe në stilin gjerman duhet të punojë shumë që të sjell atë vepër në stilin gjerman, e njëjta ndodhë në Itali, Izrael, Angli, Amerikë kurse kur këndojë në gjuhen time, ajo gjithmonë është shumë e lehtë, e bukur dhe e veçantë, sepse është organike.
Cilat janë planet tuaja të mëtejshme?
Kam shume plane për të ardhmen. Do te doja shumë që të ngeleshin surprizë për publikun.
Intervistoi: Zeki Vehapi