Thursday, January 2, 2025
IntervistaLajmet e shpejta

Intervista: Andina Pura, Miss Earth 2016

Në spektaklin e bukurisë “Miss Kosova 2016” që u mbajt në TV Klani në Prishtinë u ndan dy kurora dhe Kosova do të përfaqësohet në dy konkurset me të rëndësishme të bukurisë në botë, në Miss Universe dhe në Miss Earth. Njëra nga këto kurora ka ardhur në Gjakovë përmes vajzës 18 vjeçare me kaçurrela, Andina Pura. Në atë mbrëmje spektakli ajo shihej si fituese me bukurinë dhe sharmin që rrezatonte në skenë. Në botën e spektakleve ajo kishte hyrë qysh moti, fillimisht si një vogëlushe balerinë, më pastaj si një vallëzuese e zonja dhe sëfundi si një bukuroshe e vërtetë.

Si vendosët të merrni pjesë në një konkurs bukurie siç ishte Miss Kosova dhe kush ishte nxitësi kryesor?

Të them të  drejtën asnjëherë nuk e kam menduar pjesëmarrjen time në MISS KOSOVA. Ishte surprizë nga nëna ime dhe nuk e kundërshtova dëshirën e saj.

Si e vlerësoni organizimin e këtij manifestimi?

Organizimin e këtij manifestimi e vlerësoj shumë mbase që është hera e parë që marr pjesë në këtë lloj spektakli dhe nuk di se si organizohen spektaklet tjera, por mund të them se e mira nuk ka fund.

A kishit menduar para garës për ndonjë çmim?

Po gjatë garës kam menduar për çmim.

Miss earth ishte vlerësimi i jurisë, por ju a e mirëpritet apo keni synuar titullin kryesor?

Po.  MISS EARTH ishte çmimi i jurisë nga përgjigjet e tyre kuptova se ai çmim më takonte mua për arsye se tek unë rrezonte një bukuri natyrore. Të them të drejtën nuk isha përcaktuar për ndonjë çmim, çfarëdo çmimi ishte i mirëseardhur për mua.  Për këtë dëshmon edhe juria që në bazë të vështrimit të tyre bën përcaktimin e çmimit.

Ka pasur shumë komente se ju e keni merituar?

Po i falënderoj të gjithë miqtë e mi kudo që ndodhen që më dhanë përkrahje maksimale përmes rrjeteve sociale. Ajo që më bëri përshtypje ishte se kisha simpatizues nga të gjitha moshat e që i falënderoj përzemërsisht.

Kush është gëzuar më shumti dhe kush të ka uruar më së  pari?

Normal që është gëzuar familja ime, miqtë e mi dhe të gjithë ata që më kanë përkrahur.

Cili është urimi më i këndshëm që e keni dëgjuar pas zgjedhjes?

Mora shumë urime nga të gjithë njerëzit anë e mban botës,  ku secili urim kishte rëndësinë e vet.

Ku, kur dhe ku do të prezantoni Kosovën?

Kosovën do ta prezantoj në Filipine, por i gjithë problemi qëndron tek marrja e dokumenteve (vizës).

A keni nisur përgatitjet për një prezantim sa më të dinjitetshëm të bukurisë shqiptare  në botë?

Po,  përgatitjet janë bërë dhe do mundohem ta prezantoj titullin e MISS EARTH KOSOVËS në mënyrën më të dinjitetshme, sigurisht për të arritur një çmim edhe më të madh.

A pritni ndonjë çmim nga gara botërore e bukurisë?

Shpresoj!

A keni ndonjë koment pse në këtë konkurs u zgjodh një femër që nuk ka lindur në Kosovë?

Po kisha thënë,  përderisa i mundësohet pjesëmarrja pse jo dhe fitorja.

Po të kishe vendosur ti për më të bukurën e konkursit, kë do ta kishe zgjedhur?

Mendoj qe juria ka qenë profesionale, gjatë qëndrimit të tyre në mesin tonë ato kanë shikuar dhe vlerësuar çdo detal dhe mendoj që vendimi përfundimtar ka qenë shumë i drejtë.

Kush është Andina Pura?

Një vajzë gjakovare e  lindur me 8 Maj 1998 në qytetin e Gjakovës, që nga ky qytet  kanë dalur politikan, shkrimtar, studiues të cilët njihen dhe kanë shkëlqyer me kontributin e tyre edhe në arenën ndërkombëtare. Shkollën fillore dhe të mesme (gjimnazin) e kam përfunduar në qytetin e Gjakovës dhe tash e tutje do të vazhdoj studimet në Prishtinë. Në moshën 4 vjeçare isha një balerinë e talentuar, pastaj mora pjesë ne disa konkurse për Miss bukurie (mosha për të vegjël) ku dhe u kurorëzova si Miss fotogjenia. Më vonë fillova vallëzimin në Art Design ku mu dha mundësia të jem partnere kryesore e vallëzimit me koreografin Jeton Vorfi ku kam rastin ta falënderoj. Andina sot edhe pse ka këtë titull është e njëjta (vajze e thjeshtë) mike e mirë, një studente e ardhshme që synon të arrijë suksese edhe më të mëdha……..

Intervisten e plotë mundë ta lexoni ne Revisten Gjakovapress Nr. 95,  që aktualisht është në treg