Ndihma për familjet që pësuan nga vërshimet
Komuna e Gjakovës në bashkëpunim me UNDP-në dhe Kryqin e Kuq të Kosovës, kanë shpërndarë pako me ndihma ushqimore dhe dru zjarri për 32 familje nga komuna e Gjakovës, të cilët patën pësuar nga vërshimet e ndodhura ditë më parë.
Këto 32 familje me mbi 190 anëtarë janë kryesisht banorë të komuniteteve pakicë, të cilët kanë humbur pothuajse gjithçka nga hyrja e ujit nëpër shtëpitë e tyre. E për tu lehtësuar sadopak këto humbje, donatorët kanë vendosur tu dhurojnë atyre pako ushqimore të cilat përmbajnë miell, sheqer, makarona, vaj dhe gjëra tjera ushqimore, e gjithashtu edhe një sasi të druve të zjarrit, pasi mungesa e tyre gjatë kësaj periudhe të ftohtë është shumë problematike për ta.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që këto familje po ndihmohen pas problemeve që patën me vërshimet. Ditë më parë po të njëjtit kanë marrë edhe një sasi tjetër të ndihmave ushqimore, ndërsa 6 familje tjera të cilat kanë pasur dëme të pariparueshme, janë strehuar në objekte tjera, ndërsa pagesën e qerasë për shfrytëzimin e këtyre familjeve e ka marrë komuna.