Komuna e Gjakovës pritet të hyjë në rrjetin hekurudhor të Kosovës, duke bërë që edhe në këtë komunë të fillojë qarkullimi i njerëzve dhe mallrave përmes transportit hekurudhor. Këtë lajm e kanë bërë të ditur zyrtarë të ministrisë së Financave, të cilët kanë shtuar se ndërtimi i rrjetit hekurudhor në Gjakovë do të bëhet në kuadër të një projekti për zgjerimin dhe rregullimin e rrjetit ekzistues. Përveç rrjetit të ri në Gjakovë, qeveria po planifikon të ndërtojë rrjete edhe në Gjilan e Podujevë, e gjithashtu edhe ta lidhë Prishtinën me Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Për këtë projekt tashmë qeveria e Kosovës ka siguruar kredi të buta nga Komisioni Evropian, Banka Evropiane për Investime dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ky projekt madhor për Kosovën pritet të nisë në vitin 2017, ndërsa banorëve të komunës së Gjakovës do tu mundësohet lidhje hekurudhore fillimisht me Prizrenin e Pejën, e pastaj edhe me të gjitha komunat tjera të Kosovës. Ndryshe, Gjakova asnjëherë nuk ka pasur rrjet hekurudhor, pasi në të kaluarën stacioni më i afërt ka qenë ai në fshatin Xërxe.