Tuesday, December 31, 2024
AktualeLajme

A po krijohet Parku Industrial?

virgjinia Metaliku-480Vendimi i fundit i Asamblesë komunale të Gjakovës për shpallje të interesit publik për disa ndërmarrje shoqërore dhe kërkesa e komunës drejtuar AKP-së për dhënie në shfrytëzim të objekteve të dy ndërmarrjeve të tilla, Metaliku dhe Virgjinia, do të ofrojë kushte për krijimin e parkut industrial në Gjakovë, i cili krahas zonës së lirë ekonomike do të mundësojë kushte më të mira për investitorët potencial, të interesuar të investojnë në Gjakovë. Sipas kryetares së komunës Mimoza Kusari – Lila, paraprakisht, para kërkesës në AKP për dhënie në shfrytëzim të pronave të Metalikut dhe Virgjinisë, komuna ka aplikuar në Ministrinë për Tregti dhe Industri për krijimin e parkut industrial dhe për këtë ministria ka ndarë një fond prej 300 mijë eurosh. Ky fond do të dedikohet kryesisht për rregullimin e infrastrukturës në parkun e biznesit, por që të ndodhë kjo duhet që paraprakisht AKP-ja t’ia mundësojë komunës menaxhimin apo bashkë-menaxhimin e këtyre dy pronave. Ndryshe, Kusari–Lila tash e sa kohë ka paralajmëruar se ka mjaft investitorë të interesuar që të investojnë në Gjakovë, por mungesa e pronës komunale ka bërë që disa prej tyre edhe të kthehen prapa.