Akademi kushtuar Masakres së Ponoshecit më 1913
Historiani Musa Ahmeti të dielen në Gjakovë ka shpalosur punen e tij 30-vjeçare për ndriçimin e Masakrës së Ponoshecit, ku u vranë e u masakruan nga pushtuesit serbo-malazez qindra veta e për të cilen ngjarje historia flet pak.
“113 persona, në mesin e tyre edhe shtatë gra, dy prej të cilave shtatëzëna, ishin vrarë e masakruar pasditen e 27 shtatorit 1913, nga forcat ushtria pushtuese e Malit të Zi, të udhëhequra nga Janko Veskovic . Ngjarja kishte ndodhur në Ponoshec të Gjakovës, fshat i cili asokohe gëzonte statusin e komunës. Ponosheci ishte bërë rrafsh me tokë. Gratë e fëmijët e mbetur kishin arritur të iknin dhe të strehoheshin nëpër fshatra tjerë, e për t’u rikthyer dhe ringjallur fshatin vetëm 3 vjet më vonë. Nga tërë burrat e Ponoshecit, vetëm 15 kishin arritur të iknin nga pushkatimi dhe që të gjithë ata jo më të mëdhenjë se 15 vjeçar. 113 të vrarët ishin varrosur vetëm pas 3 ditësh nga burrat e fshatrave për rreth”, tregonte Ahmeti.
Profesori i Universitetit të Budapestit, Musa Ahmeti tha se informacionet për këtë ngjarje i ka nxjerrë nga bisedat disa orëshe të inqizuara me 3 pleq të Ponoshecit gjatë viteve të 80-ta, të cilët nuk jetojnë më si dhe të dhënave të gjetura në arkivin historik të Tiranës, atë të Cetinjes si dhe në shtypin evropian të kohës.
Duke qenë njohës i mirë i atyre ngjarjeve, Ahmeti ka folur edhe mbi arsyet e asaj masakre, e cila llogaritet ndër masakrat më të mëdha e më të tmerrme të atyre viteve.
Ndërsa, historiani tjetër Bedri Muhadri ka treguar për masakrat tjera që janë bërë ato vite në gjithë komunën e Gjakovës. Ai ka thënë se në vitin kur ka ndodhur Masakra e Ponoshecit në Gjakovë janë vrarë, për një peirudhë të shkurtër kohore, rreth 600 burra.
Kjo akademi për 100-vjetorin e masakrës së Ponoshecit është organizuar nga Shoqata “Drini” Gjakovë – Shkodër, kryetari i së cilës Halil Ahmeti ka kërkuar nga historianët që të punojnë më shumë në ndriçimin e këtyre ngjarjeve.