Akademi përkujtimore për patriotin Tahir Zajmi
Të enjten në Gjakovë, me nderime u bë ceremonia e rivarrosjes së eshtrave të patriotit Tahir Zajmi, veprimtar i shquar i Komitetit për mbrojtjen e Kosovës në Shkodër nga viti 1918, pjesëmarrës në luftën e Vlonës, të Koplikut dhe shumë betejave tjera për liri e pavarësi. Tahir Zajmi, i lindur në Gjakovë, ka vdekur rreth 40 vjet më parë në Belgjikë.
Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila, e cila ishte mbështetëse kryesore e organizmit të kësaj akademie dhe të riatdhesimit të eshtrave të Tahir Zajmit, fillimisht ka thënë se “Gjakova ka vend për të gjithë ata që morën frymën e parë në këtë vend e që vepra e tyre atdhetare vlerësohet simbol i rrugës së gjatë të pavarësisë dhe lirisë së vendit”
Për veprën atdhetare të Tahir Zajmit ka folur edhe akademiku Jusuf Bajraktari. Ai në këtë rast ka thënë se ishte sekretar i besueshëm i “bajrakut të maleve” B.Curri qysh në moshën 17-vjeçare. Respektin për “bacën” e ruajti deri në vdekje. Gojëve të liga për mungesën e shkollimit të lartë të B.Currit, Zajmi i përgjigjej me përçmim: “…sikur 10 njerëz si ai të kishte Shqipëria ,sa mirë do të ishte për fatin e saj…” Dhe ne shtojmë edhe si T. Zajmi që shpalosi shumë herë vizion të qartë për të ardhmen e atdheut në të gjitha sferat e jetës shoqërore e politike.
Kujtime për veprën atdhetare të Tahir Zajmit, ka rrëfye edhe nipi i tij Yll Zajmi. Tahir Zajmi, ka lënë pas tre djem dhe një vajzë, ndërsa gjatë qëndrimit në Belgjikë ka luajtur një rol vendimtar për bashkimin dhe veprimin e diasporës shqiptare deri në vitit 1974, kur edhe ka lenë amanetin e tij që eshtrat të mbulohen me dheun ku ka lindur në qytetin e Gjakovë. Riatdhesimi i eshtrave të atdhetarit Tahir Zajmi është bërë në varrezat e dëshmorëve të kombit të UÇK-së në Gjakovë.