Thursday, April 4, 2024
AktualeLajme

AKR kritika për qeverisjen lokale në Gjakovë

AKR  6 shkurt 13

Zyrtarë të Aleancës Kosova e Re (AKR) në një takim të mbajtur  ditën e marte në Gjakovë, ku aderuan 25 anëtarë të rinj,  thanë se  do të ngrenë padi penale kundër Komunës së Gjakovës, për shkelje të ligjit në rastin e Çarshisë së vjetër, ndërkohë që zëvendëspresidentja e partisë Mimoza Kusari – Lila, theksoi  se ky subjekt politik vazhdon të mbetet  i fuqishëm, ndërsa dega në Gjakovë, njëra ndër shtyllat kryesore të partisë.

“Besimi dhe kredibiliteti që AKR-ja e pati dhe vazhdon ta ketë ende fuqishëm në komunën e Gjakovës, është ajo që neve na jep forcë të fokusohemi dhe të vazhdojmë me angazhimet tona për komunën e Gjakovës.   Por, edhe sfidat për ne janë evidente pasi që jemi ballafaquar me një sistem i cili nuk i ka pasur dhe nuk i ka për bazë vlerat e qeverisjes e as vlerat e mirëqenies.  Sot nëse dëgjoni deklaratat e udhëheqësve komunal, do të dëgjoni se ata na akuzojnë neve që nuk kemi punuar për zhvillimin ekonomik të Gjakovës. Kjo është pranim i paaftësisë dhe ajo çfarë po shihet i shëmtisë së një qeverisje e cila nuk ka sjellur asgjë për qytetari përveç se degradim në zhvillimin ekonomik dhe degradim infrastrukturor”, ka thënë Kusari – Lila, duke e dëshmuar këtë me rastin e fundit të qendrës inovative.

Duke i falënderuar aderuesit e rinj për besimin që kanë vendosur t’ia japin AKR-së, Kusari – Lila ka thënë se qytetarët nuk duhet të hezitojnë që ta ngrisin zërin për gjithçka të keqe që shohin në qeverisje qendrore e lokale dhe AKR-ja është një subjekt që e mundëson një gjë të tillë.