Aktores Muradije Muriqi, Çmimi kombëtar për vepër jetësore
Aktorja e teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës, Muradije Muriqi, është fituese e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në Fushën e Teatrit për vitin 2022. Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka shpallur të hënën, në Ditën Botërore të Teatrit, personazhet e artit skenik për vitin 2022 që në vepritarinë e tyre kanë lënë gjurmë.
Sipas arsyetimit të jurisë,Muradije Muriqi dhe Mejreme Berisha janë nderuar për vepër jetësore për angazhimin e karrierën e gjatë skenike, profesionalizmin, disiplinën, përkushtimin, begatinë artistike, përvojën nëpër festivale të rëndësishme në vend e rajon, “për rolet e shumta në teatër e film, qofshin ato të mëdha apo me të vogla; zëri i tyre asocion me vetë teatrot e tyre përkatëse, thuajse aktoret në fjalë janë të pamoshë”
Muriqi pasi mori këtë çmim falënderoi bashkëpunëtorët për të cilët tha se puna e saj pa ta do të ishte e pamundur.
‘Jam mirënjohëse shtëpisë time teatrore, kolegëve të mi, pa të cilët puna ime do të ishte e pamundur. Jam shumë e lumtur sot që pikërisht në kupolën e shtetit, ku punohet për kulturën e gjithëmbarshme në çdo lëmi, vlerësohem sot për rrugën e gjatë, të lodhshme por edhe shumë të bukur.’, është shprehur Muriqi.