Site icon Gjakovapress

Aktorët profesionist në vend të debatit protestë pakenaqësie

 

Hadi Shehu, Hysen Binaku, Sulejman Lokaj dhe 15 aktorë tjerë të gjeneratave të ndryshme të Teatrit Profesionist të Gjakovës, të merkuren janë penguar që të futen në ambientet e Teatrit të Gjakovës, gjegjësisht pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, ku kishin planifikuar të organizonin një debat në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Teatrit dhe 36 vjetorit të themelimit të Teatrit Profesionist të Gjakovës.

Sipas tyre, ndalimi për të hyrë në ambientet e brendshme të Pallatit të Kulturës është bërë me urdhër të drejtorisë së  Kulturës.

“Sot do të duhej t’i gëzoheshim  ripërtrirjes së teatrit me brezin e ri të aktorëve, por jo, sot po protestojmë për mbetjen në rrugë të brezit të vjetër që i kushtuan një jetë të tërë teatrit me përkushtim dhe vullnet për të krijuar. Nga Teatri i dikurshëm me renome jo vetëm në Gjakovë e Kosovë ka mbetur vetëm emri, ndërsa ky institucion ndodhet në vdekje klinike”, ka thënë aktori Ramazan Berkani, i cili në emër të kolëgeve të tij ka lexuar një reagim.

E si Berkani, të zhgënhyer janë shprehur edhe aktorët tjerë, shumica prej të cilëve kanë lënë gjurmë në kinematografinë dhe teatrin kosovar e mb arëshqiptar.

“Nuk po na lënë të hyjmë në skenë neve që e kemi themeluar teatrin. Shprehim urrejtjen më të thellë me këtë qëndrim të pushtetit lokal,  konkretisht drejtorisë për Kulturë.  Nuk po na lë kjo qeveri që ne e kemi sjellur, sepse ne jemi shumë para tyre këtu. Ky është turp që duhet të mbetet mbi supet e njerëzve që na kanë sjellur në këtë situatë”, ka thënë i indinjuar Shehu.

Nga ana tjetër, aktori Sulejman Lokaj ka thënë se kjo ka qenë dita më e keqe në jetën e tij, prandaj është shumë i zhgënjyer me këtë që ndodhi.

“Pas 65 vjetësh përvojë në tatër e film, sot po ndihem si të jem në një planet tjetër e jo para shtëpisë sime”, ka thënë mes mllefit Lokaj.

Ndërkohë, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport Anton Shala, i cili gjatë tërë kohës e ka përciellur  zhvillimin e protestes, nuk u është përgjigjur gazetarëve se pse nuk janë lejuar aktorët të hyjnë në skenë. Ai  ka folur rreth pakënaqësisë së aktorëve, për gjendjen e rëndë të teatrit dhe mbetjen e tyre jashtë procesit. Ai ka thënë se Teatri i Gjakovës vepron me projekte dhe jo të gjithë aktorët mund të përfshihen në këto projekte, konkretisht shfaqje teatrale.

Exit mobile version