Albi Xhepa, synon Holliwood-in
Albi Xhepa, i lindur në Gjakovë 21 vite më parë, është një këngëtar me shumë talent dhe ambicie. Albi ka rrëmbyer shumë çmime “ Kush është më i miri” ka fituar edhe edicionin “Star Academy” në Shqipëri, ka marr pjesë në “Këngën Magjike” dhe në Top Fest 7, 8 dhe 9.
Albi bën muzikë live në klube të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri dhe është cilësuar si një ndër talentet e veçantë me një zë të mahnitshëm. Këtë edicion Albi është ftuar të merr pjesë në “The Voice of Albania”. Në jetë private Albi është fans i madh i tatuazheve dhe merret me not dhe me futboll. Pyetje si cilat janë ëndrrat e Albit? Cili është personi më i dashur për të, lexoni intervistën në vijim.
Kur keni filluar të merreni me muzikë?
Me muzikën unë e kam gjetur vetën që nga shkolla e mesme. Që atëherë unë kam gjetur dëshirën që të vazhdoj të përkushtohem e të punoj si secili që dëshiron të punoj për një gjë që e dëshiron dhe që merr vendimin që ajo gjë ta përcjell gjatë gjithë jetës.
Ku keni marr pjesë deri me tani?
Kam marrë pjesë fillimisht në festivalin “Kush është më i miri” në Gjakovë në vitin 2010 ku fitova vendin e parë, pastaj në vitin 2011 në “Star Akademi” në Shqipëri ku fitova çmimin këngëtari më i mirë dhe çmimin e madh “Ylli i akademisë”. Më vonë kam marrë pjesë në “Kengën magjike”, në Top fest 7 , 8 dhe 9 dhe ne festivalin e “RTSH”-s për Eurovision.
Cili është personi më i dashur për ju?
Personi më i dashur për mua në jetë është motra ime më e vogël të cilën e dua pa fund.
A jeni i dashuruar?
Nuk jam i dashuruar. Nuk kam kohë për momentin prandaj dhe nuk ia vlen…
Cila është ëndrra e Albit?
-Hmm ëndrra .. Ka shumë por më e madhja e çdo artisti besoj që është t’i arrish majat e muzikës .. Pse jo të synosh edhe Hollywood-in .. Asnjëherë nuk dihet.
Çfarë studion dhe si po ju ecin studimet?
Kisha filluar studimet për regji filmi në Prishtinë por për momentin i kam ndërprerë, sepse kam shumë obligime. Por do të vazhdoj për kanto këtë vit në Tiranë.
Ku e mendon veten pas 10 vitesh?
Pas 10 vitesh, nëse do të mendoja si shumica e shqiptarëve mbas 10 vitesh duhet t’i kem 2 fëmijë, të punoj një punë të thjeshtë, por unë vetën e shoh nëpër skenat e mëdha botërore. PSE JO?
Çfarë është muzika për ty, çfarë roli ka ajo në jetën tënde si artist?
Muzika për mua është vetë jeta, është diçka për të cilën e falënderoj Zotin çdo ditë për talentin të cilin ma ka dhuruar dhe mundësitë që më janë ofruar.
Çfarë plane keni për të ardhmen?
Këtë vit kam marr një ftesë nga “The Voice of Albania” që të jem pjesë e kësaj sezone që do të jetë e fundit për produksionin si këngëtar. Ngaqë kohëve të fundit televizionet i janë kushtuar botës muzikore “Muzikore-Kompjuterike” vendosa ta pranoj ftesën dhe pse jo të marr edhe ca mësime tjera nga profesionist të muzikës dhe ta sfidoj veten edhe një herë për vendin e parë.
A ke tatuazh?
Po, kam dy tatuazhe të cilat po mendoj t’i bashkoj në një të vetme. Dua të përfundoj me to një herë e përgjithmonë dhe nëse nuk e rregulloj nuk ndaloj asnjëherë duke bërë të reja.
Cilët janë artistët qe ju inspirojnë?
Artistët që mua më inspirojnë? Hmm… një ndër ta është vokalisti i grupit “Maroon 5” që quhet Adam Levine.
Cili është hobi juaj?
Përpos muzikës që ka filluar të më bëhet edhe profesion, e kam futbollin edhe notin.
Cila është motoja pas së cilës jetoni?
Unë jam gjithmonë i etur për sukses dhe si i ri në këtë fushë të muzikës kam krijuar një ide në kokë se puna e palodhshme dhe durimi për sukses janë çelësi i çdo dere në jetë dhe jo vetëm në këtë fushë.
Cili është mesazhi juaj për talentet të cilët nuk kanë guximin të këndojnë dhe ta provojnë fatin e tyre në sferën e muzikës?
Njerëzit që kanë talent apo edhe ata që e kanë një dëshirë të madhe për të kënduar, me bo muzikë ose kanë aftësi krijuese dhe nuk kanë guxim t’i shprehin, është një mëkat shumë i madh nëse talenti vdes bashkë me ata, sepse çdo talent në botë shpërblehet dikur me punë edhe me sukses dhe pa marrë parasysh rrethanat e vështira që ndodhet vendi jonë, durimi edhe kuraja për punë nuk duhet të shuhet kurrë. Marrë nga “Zeri”- Medaura Grezda