Ambasada e Mbretërisë Suedeze bashkëpunim me Gjakovën
“ Do ti shikojmë format se si do të shkoi konferenca e donatoreve, do ti shqyrtojmë të gjitha projektet e propozuara, duke u nisur nga fakti se Mbretëria e Suedisë javëve të fundit është duke e definuar strategjinë e ardhshme për Kosovën, dhe janë të gatshëm që të marrin më shumë informata për projektet e komunës së Gjakovës për të vendosur më pastaj se cilat janë sferat që do ti mbështesim drejtpërdrejtë”, tha I ngarkuari me punë në ambasadën e Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson pas takimit që pati të premten me kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.
Në këtë takim janë trajtuar disa tema me interes dhe nevojë për Komunën e Gjakovës, ku nga kryetarja e Komunës fokusim ka qenë angazhimi i trupave paqeruajtëse të kontingjentit suedez në spastrimin e zonave nga mjetet e pashpërthyera nga lufta e fundit, siç janë zonat përreth ish kazermës, në Molliq, Lugbunar e gjetiu. Kjo kërkesë bëhet me qëllim të asgjësimit të këtyre mjeteve të mbetura dhe me rrezik potencial për sigurinë e qytetarëve, dhe si një brengë e tillë ka gjetur përkrahjen e Nilsson, ku së shpejti edhe do të bëhet edhe vlerësimi i terrenit dhe garancitë e duhura të Komunës.
Fokusim tjetër në këtë takim nga kryetarja e Komunës ka qenë aktivitetet e mundshme për rininë e Komunës së Gjakovës, për mundësinë e ndërtimit të një qendre të re rinore, si dhe për aktivitetet që do të zhvillohen në atë qendër. Gjithashtu, në kontest të përkushtimit ndaj rinisë është kërkuar që edhe të bëhen shkëmbime të ndryshme të aktiviteteve rinore që rinia e Komunës së Gjakovës të dalë nga izolimi. Temë tjetër e trajtuar me një interes të madh për Komunën e Gjakovës, nga kryetarja Mimoza Kusari Lila ka qenë njoftimi për përgatitjet për konferencën e donatorëve për Komunën e Gjakovës,që siç ka bërë të ditur kryetarja e Komunës, së shpejti do të dihet edhe data e saktë, ku pritet të jetë gjysma e parë e muajit mars.
Për këto përgatitje, Mimoza Kusari Lila, si kryetare e Komunës dhe bartëse kryesore e kësaj konference, ka treguar për takimet që ka nisur me agjenci të ndryshme zhvillimore ndërkombëtare, të cilat njëlloj si dhe ambasadat e shteteve të huaja në Kosovë do të njoftohen me kohë për detajet dhe rëndësinë e kësaj konference për Komunën të cilën e udhëheq.
Ndërkaq, Nilsson, ka pohuar se ndjehet i lumtur që ritakohet me Kusari Lila, porse kësaj here për herë të parë në postin e kryetares së Komunës, të cilën dhe e ka përgëzuar dhe uruar suksese.