Tuesday, November 5, 2024
AktualeKulturëLajme

Ansambli Shota mirëpritet në Gjakovë

shota fin

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve SHOTA të premten në mbrëmje  në Gjakovë ka shfaqur koncertin me këngë e valle popullore me të cilin edhe e ka shënuar 50 vjetorin e themelimit.  Ishte një mbrëmje e këndshme që u ndoq me duartrokitje nga fillimi kur në mënyrë spektakulare të gjithë artistët kënduan himnin kombëtarë e deri në fund kur u interpretua tabloja “Kosova ime -Peizazh koreografik me koreografi të Xhemali Berishës.

Edhe me këtë rast u dëshmua se Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” është një ndër institucionet më të bujshme të kulturës në vend, i cili shpalos larminë e valleve të ndryshme shqiptare para publikut të Kosovës e gjetiu. Si i tillë Ansambli “Shota” ka një gjenezë të kamotshme të krijimit të tij, e këtë vit po e kremton 50-të vjetorin e themelimit.

Grupi I solistëve me një repertor të zgjedhur sikurse edhe valltarët me vallet e luajtura shkëlqyen në skenën e pallatit të kulturës Asim Vokshi duke sjellë trashëgimin e begatë muzikore e artistike të trevave shqiptare. Me mjaft sukses u interpretuan edhe këngët doajenëve të muzikës gjakovare , Qamilit të Vogël dhe Mazllom Mejzinit.

Ja dhe program që u prezantua në koncertin e Gjakovës:

Kënga korale “Ma gëzofsh 50 vjetorin”. Teksti Ilir Shaqiri, muzika Ylber Asllanaj

“Valle me motive të Shalës së Bajgores”. Koreografi e Haki Mulliqit

Kënga: “Tjetërkund nuse dojnë me m’çu”-  Violetë Kukaj- Ratkoceri

Kënga: “O ku t’ka lala”-  Riza Bytyçi

Kënga: “Sa i bukur muaji i Majit”.  Grupi i vajzave

“Valle e Tiranës”. Koreografi e Besim Jazegjiut

Kënga: “Unazën e arit” – Mirvete Bajrami- Haziri

Kënga: “ Shote Galica”.  Ismet Bogujevci

Valle orkestrale-solist Visar Kuçi, autor Ylber Asllanaj

Kënga: “Ishe vogëloshe”. Saranda Alija, e percjellë nga grupi i vajzave

Kënga: “More vet’lla jote”.  Riza Bytyqi

Tabloja “Kosova ime -Peizazh koreografik”. Koreografi e Xhemali Berishës

 

Pak histori:

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “SHOTA” është themeluar në vitin 1948 si njëri ndër institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë. Për pesëmbëdhjetë vjet me radhë ky Ansambël ka funskionuar si shoqri amatore dhe më pastaj si ansambël gjysmë-profesional.

Ndërsa në mars të vitit 1964 me vendim të Kuvendit të Kosovës “Shota” e fiton statusin e asnamblit profesionist sikurse edhe tri ansamblet tjera në Jugosllavi: “Llado” – Zagreb, “Kollo” – Beograd dhe “Tanec” – Shkup.

Për pesëdhjetë vjetët e shkuara ansambli “Shota” luajti një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këngës dhe valles shqiptare si dhe me afrimin e vlerave të mirëfillta kulturore kombëtare siç është origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet e veçanta egzotike me të cilat ky ansambël është prezentuar në mëse 50 shtete të ndryshme të botës dhe në të gjitha kontinentet.