Aplikojnë 1.150 pensionist kontributdhënës
Kohë më parë Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve, në pajtim me ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti e që si vendim ishte mirëpritur nga kjo shtresë e popullatës e cila për këto 16 vite ishin lënë në gjendje të mjerueshme. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, bazuar në këtë vendim kishte kërkuar nga gjithë kontributdhënësit që të sjellin dëshmi për kualifikimin e tyre dhe të aplikojnë për pensionet bazë që do të jenë 158 euro dhe me të hyrë në fuqi ky vendim, pensionistët do të marrin pensionet e tyre në mënyrë retroaktive nga janari 2016. Kjo thirrje kishte nxitur pensionistët të vrapojnë pas dokumenteve të nevojshme. Në komunën e Gjakovës si pensionistë kontributdhënës konsiderohen rreth 3 mijë, ndërsa deri më sot sipas Myzaqete Radogoshit, drejtoreshë e Zyrës rajonale të Administratës së Pensionistëve në Gjakovë, në sportelet e këtij institucioni, kanë aplikuar rreth 1 mijë e 150 pensionistë.
Ndërkaq në nivel vendi deri më 29 shkurt të këtij viti kërkesat për përfitim nga Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, në të cilin parashihet kategorizimi për pensionistët kontributdhënës, i kanë dorëzuar 12 mijë e 112
pensionistë. Afati për dorëzim të kërkesave është deri më datën 31 mars. Ata pensionistë që nuk do t’i dorëzojnë kërkesat në afatin e paraparë, nuk do të mund të përfitojnë pensionet me rritje në mënyrë retroaktive nga janari i këtij viti. Nga 40 mijë e 300 pensionistë, sa llogaritet të jenë kontributdhënës, vetëm rreth 15 mijë pritet të kategorizohen në shkallën e dytë e më lart. Rreth 25 mijë pritet t’i takojnë kategorisë së parë, pagesa e të cilëve do të jetë 158 euro.