Pas një pune intensive disa mujore gjatë të cilës janë mbajtur 24 takime zyrtare, Komisioni për Emërtimin e Rrugëve në tërë territorin e komunës së Gjakovës, në mbledhjen e fundit të Asamblesë Komunale, ka prezantuar listën me emra të propozuar për emërtimin e rrugëve, parqeve dhe shesheve në komunën tonë. Kryetari i këtij komisioni, Artan Nimani, ka thënë se gjatë përpilimit të kësaj liste janë shqyrtuar të gjitha kërkesat dhe sugjerimet e përfaqësuesve të Bashkësive Lokale në komunën e Gjakovës. Sipas tij, një ndërmarrje e tillë ka qenë një punë e mundimshme e cila ka kërkuar një përkushtim maksimal, meqë fillimisht ka qenë e domosdoshme të ketë një gjithë-përfshirje si dhe një harmonizim të të gjitha kërkesave objektive, ndërkohë që e gjithë kjo është dashur të zhvillohet sipas ligjit përkatës duke respektuar të gjitha udhëzimet administrative.
Nimani ka falënderuar bashkëpunimin me Shoqatat e dala nga lufta e UCK-së, përfaqësues të institucioneve fetare, historian dhe përfaqësues të Bashkësive Lokale në qytet e fshatra.
Në anën tjetër, Mahmut Lila, anëtarë i komisionit për emërtimin e rrugëve edhe në legjislacion e kaluar, ka thënë se një punë e madhe në këtë drejtim është bërë në viset rurale të cilat më parë nuk kanë qenë të përfshira në këtë proces.
Ndryshe, lista e propozuar me disa vërejtje të vogla të prezantuara me këtë rast, është miratuar nga asamblistët e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, gjë e cila ka qenë e rëndësishme edhe për përfitimin e grandit qeveritar për këtë qëllim në shumë prej 25 mijë euro.