Thursday, March 28, 2024
Kulturë

Arbresha mes Sociologjisë dhe muzikës

E buzëqeshur dhe e ëmbël. Një zë i bukur. Një konkurrente e denjë në një arenë të vlerave muzikore. Këto janë gjërat e para që na vijnë në mendje sa herë kemi parë performancat e Arbresha Malokut tek “The Voice of Albania”. Ajo depërtoi deri tek netët “live” në një fazë ku nevojitet jo vetëm maksimumi i konkurrentit por i gjithë ekipit me qindra e qindra vetë për të transmetuar tek shikuesi jo vetëm talentin tashmë të konfirmuar, por edhe një paraqitje skenike dinjitoze. 

Arbresha  ka treguar më gjerësisht për përvojën e saj tek “The Voice”, prapaskenat dhe periudhën pas këtij spektakli përfshirë ritmin që ka marrë jeta artistike e saj. Vet ajo ishte befasuar natën kur ishte eliminuar, por nuk është bërë asnjëherë pishman për pjesëmarrjen, pasi aty ka marrë “manualin” drejt një karriere të suksesshme.

“E kam pasur që e vogël ëndërr të marrë pjesë në një kompeticion sepse ndryshe vlerësohesh nga juria që përbëhet nga njerëz profesionistë të fushës së muzikës dhe ndryshe nga njerëzit tjerë, kështu që për mua “The Voice” mbetet një eksperiencë mirë”-, u shpreh Arbresha.

Po ashtu, Maloku ka vlerësuar profesionalizmin dhe disiplinën e mentorit të saj dhe orkestrës së Top Channel-it gjatë provave. Për periudhën post-“The Voice” thotë se e ka shijuar tepër, pasi aty ka vënë re mbështetjen e madhe që ka pasur nga fansat të cilët ajo nuk harron t’i falënderojë për besimin që kanë pasur në talentin e saj.

E pyetur për planet e saj artistike, ajo ka thënë se do fillojë punën për një këngë të re që pritet të publikohet gjatë verës. Ndërsa pas kësaj këngë ka paralajmëruar që mund të realizohet një bashkëpunim me të dashurin e saj, këngëtarin tjetër të suksesshëm, Valon Shehun.

Por, pos muzikës, absolventja e sociologjisë thotë se do fokusohet pak edhe tek diplomimi pasi suksesi në “The Voice” e detyroi ta linte anash.

“Mendoj se do diplomohem brenda pak javësh dhe më pas edhe të shikoj mundësitë të eci para me shkollimin në nivelin master, por paralelisht të punoj edhe me muzikën”-, tha Arbresha.

Nga koha e lirë, ajo tregon se merret me dy pasione tjera të saj, dizajnimin e veshjeve dhe ndihmën që i jep së ëmës që punon si parukiere. Por nuk e le anash as shoqërinë për të cilën thotë se i kushton shumë rëndësi.

Falënderimet e Arbreshes për suksesin e deritashëm shkojnë për familjen, që sipas saj, mbështetja e tyre për tipin e ndrojtur që ka është treguar vendimtare që të eci përpara jo vetëm në “The Voice” por edhe në kompeticionet tjera që ka marrë pjesë, në këtë listë nuk do të mungonte as i dashuri, Valoni dhe shoqëria që zënë një vend të rëndësishëm në jetën e saj.