Friday, December 27, 2024
AktualeLajme

Asambleja Komunale debat për komunën e re të Rogovës dhe taksat

Këshilltarët komunal të Gjakovës në mbledhjen e pestë me radhë për këtë vit,  të enjten i kanë miratuar ndryshimet  dhe plotësimet e Rregullores mbi Taksat dhe Tarifat nga Shërbimet dhe Veprimtaritë Komunale, ndërkohë që në pikën e rendit të ditës, “Të ndryshme” kanë debatuar për iniciativen për themelimin e komunave të reja të Hasit..

Sqarime rreth  ndryshimeve në Rregulloren mbi Taksat dhe Tarifat nga Shërbimet dhe Veprimtaritë Komunale  ka dhënë Leonora Rraci, drejtoresh e Drejtorisë për Urbanizëm.

”Ligji i ri për ndërtimet ka imponua obligime të reja, mes tjerash edhe në nivelin e taksës për ndërtim, e cila, tash, përllogaritët në formë të re. Për këtë arsye, para nesh ka dal obligimi që rregulloret tona ekzistuese të këtij lëmi t’i harmonizojmë me këtë ligj” ka bërë të ditur Leonora Rraci, drejtoresh komunale e urbanizmit në Gjakovë, duke shtuar se kjo drejtori tash më i ka përpunua këto ndryshime dhe harmonizime dhe se pret që ato të mbështetën edhe nga këshilltarët komunal. Sipas këtyre ndryshimeve, ndryshe nga e kaluara, i tërë territori i komunës së Gjakovës, tash e tutje, do të llogaritët si një zonë unike, kështu që edhe niveli i taksës administrative për lëshimin e lejes së ndërtimit do të jetë i njëjtë dhe atë 2,57 euro për metër katror të objektit. Deri më tash komuna ka qenë e ndarë në disa zona brenda qytetit dhe në zonën jashtë-qytet, kështu që edhe niveli i pagesës së kësaj takse ka ndryshuar nga zona në zonë, duke qenë më e lartë sa më afër qendrës ekskluzive të qytetit. Ndërkaq, tarifa rregullative për rritjen e densitetit të infrastrukturës parashihet të jetë 127 euro për metër katror.

Tema mjaft e përfolur deri me tani për themelimin e komunave të reja në rajonin e Hasit, ka ngjallur debat të gjërë.  Debati ka nisur pas fjalës së kryetarit Pal Lekaj, i cili ka dashur t’i informojë kuvendarët me ngjarjet në zhvillim dhe qëndrimin e komunës rreth tyre.

“As unë, as kryeministri e askush tjetër nuk guxon të veprojë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve. Prej se kjo temë është bërë e madhe nëpër media, unë vazhdoj të kem takime të shumta me qytetarët të fshatrave të Hasit, të cilët janë kundër një vendimi të tillë. Bile një takim të tillë e kam të paraparë edhe nesër me përfaqësuesit e disa fshatrave, të cilët do të vijnë në komunë dhe para medieve do të prezantojnë qëndrimet e veta”, ka thënë Lekaj.

E pikërisht kjo deklaratë ka nxitur reagimet e përfaqësuesve opozitar, kryesisht atyre të LDK-së e PDK-së, të cilët e kanë akuzuar Lekajn për politizim të çështjes. Ilhami Shala, nga LDK-ja, i cili njëkohësisht është banor i Rogovës, ka kërkuar që kjo qështje të mos politizohet, por që bashkarisht të vendoset në të mirë të qytetarëve.