Site icon Gjakovapress

Azgan Haklaj ,“Edhe Zoti po flet shqip”

Promovim libri

 

Shënimi i pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Gjakovë është shënuar edhe me një promovim libri mjaft domethënës dhe simbolik “Edhe Zoti po flet shqip”  të autorit Azgan Haklaj. Me organizim të përbashkët të Komunës së Gjakovës dhe Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, kryetari i këtij klubi, Muharrem Kurti ka folur për biografinë e autorit në kontributin e tij politik por dhe publicisti pasi kësaj here vie me librin e tij të tretë.

Ramiz Lushaj, redaktor i librit “Edhe Zoti po flet shqip”  tha se autori këtë vepër jorastësisht e ka zgjedhur ta promovojë në Gjakovë, pra as në Tiranë, as në Prishtinë, as në Tuz, as në Presheve, as në Shkup, pasi Gjakova është djep i shqiptarisë dhe autori është bir i Malësisë së Gjakovës dhe si autor ka kontribuar dhe kontribuon për Shqipëri jashtë kufijve londinez.

 

”Gjakova është gjak i kombit e këtë e himnizoi kryeministri Sali Berisha me 17 qershor të vitit 2006” është shprehur më tej në fokusimin e tij për Gjakovën redaktori Ramiz Lushaj e më pas ka folur edhe për heroizmin e Ramush Haradinajt dhe të familjes së tij që dhanë shumë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Në emër të komunës, kryetari Pal Lekaj ka përgëzuar autorin për këtë vepër duke e cilësuar si një krijim mjaft të theksuar për kombin shqiptar në trojet e veta porse edhe në mbarë botën, pasi ky libër themelet i ka tek e folura shqip, pavarësisht ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët.

 

Njazi Kosovrasti, kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës është fokusuar tek zhvillimet politike që janë dhe tematikë e veprës që promovohej dhe për rrjedhat e së cilës ka konstatuar  se” ngjarjet e mëdha kanë nisur të ecin përpara, e këto gjëra të mëdha janë mjaft të prekshme në këtë kohë dhe se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në bashkimin evropian”.

Nga Kosovrasti janë përmendur edhe arritjet në Shqipëri dhe Kosovë, si “Rruga e kombit”, abetarja e përbashkët dhe zhvillime tjera për të cilat folësi ka përfunduar se janë procese të mirëseardhura për gjithë shqiptarët.

 

Aktori Llesh Nikolla pasi recitoi një poezi me përkushtime kombëtare dedikuar autorit Azgan Haklaj nga poeti Ali Sylaj, u shpreh se “nëse jam burrëruar artistikisht dhe kombëtarisht atëherë nderin më të madh për këtë e ka Azgan Haklaj”. Pos të tjerëve të pranishëm në këtë promovim ka folur edhe Minela Kureta, sipas të cilit vepra që promovohej bën pasqyrim të vlerave të jashtëzakonshme të shqiptarizmës gjatë njëqind viteve.

Exit mobile version