Tuesday, November 5, 2024
Sporti

Basketboll: Festa Vëllaznimit, pikët Trepçës!

Moti nuk mbahet mend që Pallati i Sporteve Shani Nushi të jetë i stërmbushur me tifozeri dhe me një atmosferë kaq atraktive siç ishte të shtunën në mbrëmje kur u takuan basketbollistët e Vëllaznimit dhe ata të Trepçës nga Mitrovica.  Por kjo atmosferë sportive nuk mjaftoi për basketbollistët kuq e zi të arrijnë fitore. Në fakt, pas  gjashtë fitoreve radhazi, Vëllaznimi ka pësuar humbje, duke u mundur në Gjakovë nga Trepça me shifrat 82:89 (21:28, 21:28, 16:20, 24:13). Sonte iu “dridh dora” dy basketbollistëve më cilësor të Vëllaznimit,  që shpesh, në ndeshjet e kaluara,  kanë vendosur për fitore, Samuel Sessoms dhe Jalen Ray. Ata  “nuk e kishin ditën e tyre”!

Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, dhe në fund të çerekut të parë u shkëputën duke e fituar këtë pjesë 21:28, derisa “Deja Vu” ndodhi edhe në periudhën e dytë, me mitrovicasit që shkuan në pushim me rezultat 42:56.

Edhe periudhën e tretë e kontrolluan mysafirët, ndërsa në dhjetë minutat e fundit, vendasit tentuan të rikthehen, por nuk arritën qëllimit, ku vetëm ngushtuan shifrat, derisa Trepça triumfoi në fund 82:89.

Më i dalluari te vendasit ishte Samuel Sessoms me 20 pikë, pesë kërcime e nëntë asistime. Kuqezinjtë kanë gjashtë fitore e pesë humbje.

Në fund të takimit të dyja skuadrat morën duartrokitjet e publikut gjakovar i cili para ndeshjes bashkë me këngëtarin e shquar Ilir Shaqiri, kënduan këngën himn të Gjakovës, Yjet e Gjakovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *